Arbëri

Qendra e Prishtinës “fasadë” e pastërtisë, lagjet e tjera kundërmojnë nga bërlloku

Marketingun ia bëjnë tash e sa kohë vetes nëpër rrjete të ndryshme sociale.

Komuna mburret vazhdimisht për eliminimin e problemit me mbeturina në kryeqytet.

Mirëpo pavarësisht qendrës, problemi me bërllokun vazhdon të jetë prezent në periferi të qytetit.

Madje në këto ditë të verës, telashe po bëjnë edhe deponitë e mbeturinave të cilat edhe po kundërmojnë.

Asamblisti nga radhët e LVV-së,  Besart Krasniqi, thotë se komuna është duke iu hedhur hi në sy qytetarëve, për eliminimin e bërllokut në kryeqytet.

Ai thotë se ka edhe shumë vende në “Kodrën e Trimave”, por edhe në pjesë të tjera të qytetit që BËRLLOGU NUK mblidhet si duhet.

Tutje ai thotë se komuna duhet të vijë me një zgjidhje më afatgjate për menaxhimin e përhershëm të mbeturinave.

Në anën tjetër drejtori për Shërbime Publike, Bekim Brestovci, thotë se në kohë rekorde kanë arritur që qytetarët të mos i shohin mbeturinat nëpër rrugët e qytetit.

Brestovci thotë se edhe periferia po pastrohet mirë.

Brestovci premton që deri në fund të vitit 2025 problemi me mbeturina në kryeqytet do të zhduket.