Arbëri

Qendra e Prishtinës e bllokuar qe dy javë për “tregun veror” që po vonohet

Gjatë tërë muajit korrik rruga “Xhorxh Bush” ka qenë më shumë e mbyllur për autobusë e taksi të transportit publik nga aktivitete të ndryshme.

Me 19 korrik, Komuna e Prishtinës hapi shpalljen për “tregun veror” duke u dhënë mundësi aplikimi gastronomëve deri me 28 korrik.

Tërë këtë kohë rruga ka qëndruar e mbyllur bashkë me kiosqet e vendosura përgjatë rrugës.

Megjithatë tregu që duhej të niste në ditët e para të gushtit, pritet të nis javën tjetër, nëse sërish nuk ka vonesa organizimi.

Në publikimin e 49 përdoruesve të shtëpizave prej druri thuhet : “Për bizneset përfituese tregu do të hapet më datë 14.08.2023 (e hënë)”.

Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë arsye për vonesa derisa drejtori i shërbimeve publike, Ilirik Musliu deklaroi se rruga “Xhorxh Bush”, do të jetë e mbyllur me "tregun veror" deri në fund të shtatorit.

“Ne nuk e kemi bllokuar komunikacionin, Prishtina kaherë ka probleme me trafik. Rruga do të jetë e mbyllur edhe në shtator pavarësisht a fillojnë shkollat”, ka thënë Musliu.

Me hapjen e shkollave dhe përfundimit të pushimeve verore, ditët e punës në kryeqytet karakterizohen me tollovi në trafik.

Prishtina "tregun veror" zakonisht e ka organizuar mes korrikut e gushtit për tu shfrytëzuar edhe nga mërgimtarët.

{gallery}