Pjesë e veshjeve kombëtare të Shqipërisë është edhe qeleshja. Ani pse këtyre ditëve rrallëkush e mban. Zanati për krijimin e këtyre qelesheve ende ruhet nga një familje krutane, që ka marrë vëmendjen e agjencisë së lajmeve “Associated Press”. Mediumi ndërkombëtar vlerëson se qeleshet nuk janë të popullarizuara si dikur, mirëpo zanati për prodhimin e tyre ende ruhet me gjithë vështirësitë
Në qytetin legjendar të Krujës, në një dyqan të vogël në Pazarin e Vjetër ende punohen qeleshet.
Kapela tradicionale shqiptare ka marrë vëmendjen e agjencisë së lajmeve “Associated Press”, e cila ka bërë një reportazh nga Kruja veç për qeleshet.
Mediumi ndërkombëtar vlerëson se qeleshet nuk janë të popullarizuara si dikur, mirëpo zanati për prodhimin e tyre ende ruhet.
Për këtë po përkujdeset familja Guni. Me krenari ka bartur zanatin brez pas brezi dhe ende shet qeleshe në qytetin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
27-vjeçari Ardian Guni punon në dyqan së bashku me babanë e tij, Ndriçimin.
“Qeleshet janë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore. Është një zeje që fatmirësisht deri në ditët e sotme ka arritur të jetojë me shumë sakrificë, por ia kemi dalë ta ruajmë”, ka thënë ai.
Me krenari tregon fotografitë e gjyshit dhe të stërgjyshit, të cilat i ka vendosur në një raft lart në dyqan.
“Ne po vazhdojmë ta ruajmë këtë traditë të familjes sonë që e ka pasur edhe babai, gjyshi e stërgjyshi, të cilët kanë punuar po këtë profesion. Ne po vazhdojmë ta ruajmë ende”, ka thënë ai.
Nurmir Ricaj, ekspert i etnografisë në Muzeun Etnografik të Krujës, ka treguar për kapelat dhe pajisjet me të cilat janë bërë ato. Muzeut shumicën ia ka dhënë familja Guni.
“Nuk ka shumë njerëz që e bëjnë këtë zanat, por në Pazarin e Vjetër jemi me fat që kemi një person që bën kapelat tradicionale dhe që përcjell traditën e vjetër, dhe së bashku me të birin ende ruajnë traditën e vjetër për prodhimin e kapelave të vjetra”, ka thënë ai.
Ricaj ka treguar se qeleshja është krejt ndryshe nga kapelat e kuqe turke që kanë formën e një cilindri të shkurtër, shpesh kanë edhe xhufkë në krye.
Guni prodhon lloje të ndryshme të qelesheve, sipas zonave: qeleshet cilindrike për verilindjen e Shqipërisë, cilindriket më të gjata për jugun, këndoret për veriun dhe koniket si origjinalet nga Kruja.
“Associated Press” shkruan se në dyqanin e Gunit ka edhe kapela nga Kina dhe Turqia, mirëpo asnjë nuk krahasohet me qeleshet shqiptare. Qeleshet shiten nga 10 deri në 12 euro.
Familja Guni do të vazhdojë të ruajë traditën e prodhimit të qelesheve, proces që bëhet me së paku 12 faza, dy orë nga fillimi deri në fund.
Shumë prej kallëpeve janë nga druri, të vjetra një shekull. I moçëm po aq është edhe harku që babai Ndriçimi e përdor për të shpërndarë leshin e qelesheve.
Pa ndihmën e Qeverisë, familja ka arritur të gjejë blerës në Evropë, në shtete si Franca dhe Gjermania.
Çdo vit bëjnë nga 1 mijë qeleshe.
“Associated Press” vlerëson se afërsia e Krujës me Aeroportin Ndërkombëtar të Shqipërisë ofron shumë atraksione turistike, siç janë Kalaja dhe Muzeu i Skënderbeut, xhamitë dhe Pazari i Vjetër.
Recaj ka treguar se zanati i qelesheve është vlerë e Shqipërisë.
“Kjo është vlerë e mirë për Krujën dhe për krejt Shqipërinë dhe duhet të promovohet, sepse njerëzit duhet të dinë se si ishte një zanat dhe si të ruhet tradita e vjetër”.
Agjencia e lajmeve gjithashtu ka vlerësuar se turizmi i Shqipërisë po përjetonte ngritje të madhe para dy vjetësh. Shqipëria gjatë vitit 2019 kishte joshur 6.4 milionë turistë.
Numri i turistëve në Shqipëri kishte rënë pas nëntorit të vitit 2019, shkaku i tërmetit dhe pandemisë së koronavirusit.
“Shpresojmë që të rihapet turizmi prapë, pasi gjatë pandemisë ishte sektori më i goditur. Ne shpresojmë të hapet e të rifillojë prapë”, ka thënë qeleshepunuesi Ardian Guni.
Në vitin 2021, Shqipëria u vizitua nga 5.7 milionë turistë.
“Associated Press” me reportazh për qeleshet e Krujës“Associated Press” me reportazh për qeleshet e Krujës
Posted by Rreth Botës-KTV on Sunday, April 3, 2022