Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, ka deklaruar se pjesëmarrja e nxënësve të Kosovës në testin ndërkombëtar PISA është e paarsyeshme derisa nuk ka ndryshim të sistemit të arsimit.
Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Qehaja ka thënë se çdo test ndërkombëtar si PISA e rikthen vëmendjen në problemet e vërteta, mirëpo sipas tij, përgjegjësia është institucionale karshi të rinjve të vendit për t’iu garantuar një sistem cilësor arsimor.
“Gjithmonë e kemi atë pikëpyetjen se a është e arsyeshme pjesëmarrja në testin PISA kur nuk kemi një ndryshim substancial brenda sistemit. Një logjikë e shëndoshë thotë që jo, pasi që këta 15-vjecarë që janë pjesëmarrës në këtë testim duhet të kalojnë nga klasa e parë deri në të 10-tën në një sistem shumë më ndryshe të mësimnxënies sesa ai që e ka në epiqendër të mësuarit mekanik, në mënyrë që të ketë një përmirësim në rezultatet e testit, në të kundërtën rezultati është ai sikurse në testimet e mëparshme, pasi që në epiqendër është të mësuarit tradicional përmendësh. Testi i PISA-s në tërësi i shërben politikëbërjes. Shtetet paguajnë pjesëmarrjen, marrin pjesë në mënyrë që të identifikojnë këshilla për zhvillim, intervenime në nivel të politikave”, ka thënë Qehaja.
Ai ka shtuar se mungesa e llogaridhënies është e shpërndarë jo vetëm te mësimdhënësit, por edhe më gjerë në institucione deri te Ministria e Arsimit.
“Në mungesë të llogaridhënies të shpërndarë gjithandej në të gjitha nivelet, edhe te zyrtarët komunalë, edhe te drejtoritë komunale të arsimit, deri te Ministria e Arsimit duhet të ketë përgjegjësi, përgjegjësi të instaluar që e prek nxënësin në klasë. Në momentin që e kemi këtë atëherë padyshim vjen edhe një vullnet i mësimdhënësit për performancë më të mirë”, është shprehur ai.