Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, ka deklaruar se nevojitet krijimi i një sindikate të re të mësimdhënësve.
Të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së, Qehaja ka thënë se kjo sindikatë nuk duhet të futë konkurrencë e hatërmbetje në këtë komunitet.
“Ajo çka do të doja të shihja është një komunitet i mësimdhënësve jo shumë i kufizuar në një sindikatë të vetme. Jo një sindikatë që fut konkurrencë dhe hatërmbetje e inate në komunitetin e mësimdhënësve, por një sindikatë që ka objektiva të ndryshme”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se mungesa e dialogut midis mësimdhënësve dhe ekzekutivit, dëmin më të madh e shkakton te nxënësit.
“Ky dialog ose mungesë dialogu ekskluzivisht kthehet në dëm për nxënësit dhe komunitetin e mësimdhënësve. Nuk ka përfitues nga kjo mungesë e dialogut social. Është obligim i Qeverisë të nxitë për dialog social, të kërkojë partnerë socialë dhe të ketë një komunikim të vazhdueshëm me komunitetin e mësimdhënësve”, ka thënë ai.
Derisa ka folur për llogaridhënien që duhet dhënë mësimdhënësit, ai ka thënë se përgjegjësia është e institucioneve qeveritare, pasi ka prej mësimdhënësve që nuk janë inspektuar asnjëherë.
“Ngritja në pagë duhet të shkojë paralel me rritje të llogaridhënies. Ka qindra dhe mijëra mësimdhënës që në asnjë moment të karrierës së tyre nuk janë inspektuar nga askush. I tërë sistemi arsimor është në vullnet të mësimdhënësve. Përgjegjësia është e institucioneve qeveritare, në këtë rast e Ministrisë së Arsimit për të instaluar politika të qëndrueshme që na garantojnë një mbikëqyrje të vazhdueshme dhe llogaridhënie të mirëfilltë”, ka thënë ai.