Arbëri

Që nga paslufta në trevën e Rugovës nuk ka stacion policor

Me dekada të tëra në periudhën e paraluftës ka ekzistuar një stacion policor që ishte në fshatin Kuqishtë për tërë trevën e Rugovës me 14 fshatra.

Herën e fundit ky stacion i Policisë në Kuqishtë ishte sistemuar në vitin 1970 në një objekt të ish-shtetit jugosllav, ku edhe kishte funksionuar deri në fund të luftës në Kosovë.

Por, pas luftës nuk është hapur më dhe ndërkohë pronari i tokës e ka rrënuar atë objekt të vjetër, derisa themelet e mbetura tashmë janë mbuluar.

Banorët e zonës po kërkojnë që stacioni të kthehet, pasi thonë se jetojnë në vendbanimet përgjatë zonës kufitare e frika nga gjahtarët malazez ekziston.

“Stacioni policor ka nevojë me qenë këtu, se po vijnë këta gjahtarët prej Malit të Zi këtu, e popullata po frikohet kur po i dëgjojnë të shtënat dhe qentë. Edhe po vijnë afër këtu”, ka thënë Xhemë Demaj, kryetar i fshatit Bogë.

E arsye tjetër, sipas përfaqësuesit të fshatrave të Rugovës, Flamur Rexhbogaj, janë edhe frekuentimi i madh i vizitorëve, por edhe fakti se kjo trevë përbën gjysmën e territorit të Komunës së Pejës.

“Tu e marrë parasysh që treva e Rugovës e përbën 52 për qind të territorit të Komunës së Pejës, mendoj që do të ishte e arsyeshme një stacion, i cili do ta menaxhonte nga afër situatën”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës nuk ka kthyer përgjigj për këtë çështje.

“Kërkesën tuaj ia kemi përcjellë njësisë përkatëse dhe jemi në pritje të përgjigjes. Posa ta kemi përgjigjen, do t’ju informojmë me shkrim”, ka thënë zëdhënësi i Policisë rajonale të Pejës, Driton Rugova.

Banorët e kësaj treve kanë kërkuar edhe hapjen e një vendkalimi kufitar me Malin e Zi, pasi rruga që lidhte me shtetin fqinjë përmes Çakorrit pas luftës është mbyllur.