Telekomi i Kosovës, që nga paslufta, kur për herë të parë kishte nënshkruar kontratë me Telekom Monakon, ka pasur humbje të mëdha.
Kontratat në atë kohë nënshkruheshin pa ndonjë analizë të mirëfilltë, gjë që ka sjellë degradimin total të PTK-së.
Kështu kanë thënë ekspertët dëshmitarë të telekomunikacionit, të cilët ishin të ftuar që të dëshmojnë para Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili po i heton keqpërdorimet në këtë ndërmarrje.
Ekpserti Ismet Hamiti e ka quajtur krim kontratën e nënshkruar me Telekom Monakon. Sipas Hamitit, manipulime dhe dëm në kurriz të Telekomit ka pasur edhe në kontratën e nënshkruar me Z-Mobile.
Edhe eksperti Naim Maloku ka thënë se ndërmarrja që nga rritja e konkurrencës ka filluar të degradojë, e një konkurrencë e tillë, sipas tij, i është bërë me kontratën me Z-Mobile.
Në mbledhjen e komisionit hetimor, për intervistim ka qenë i ftuar edhe eksperti Agron Dida, por takimi është ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, pasi që nga mbledhja janë larguar deputetja Blerta Deliu, Armend Zemaj dhe Fikrim Damka.