Arbëri

Rreth 220 punëtorë të QKMF-së në Ferizaj pa paga që nga korriku

Prej disa muajsh, Komuna nuk ua ka ekzekutuar pagat rreth 220 punëtorëve shëndetësorë, të angazhuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, nëpërmjet marrëveshjes me Caritas Kosova. Në Komunë kanë thënë se vonesat kanë ndodhur shkaku i mungesës së buxhetit, teksa janë zotuar se atyre do t’u dalin pagat e mbetura borxh, duke nisur nga muaji i ardhshëm

Mbi 220 punëtorë shëndetësorë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj që nga korriku kanë mbetur pa paga.

Disa nga punëtorët, që janë angazhuar nëpërmjet marrëveshjes mes Komunës e Caritas Kosovës, janë ankuar se krahas pagave të ulëta, prej rreth 300 eurosh, ato nuk po jepen me rregull.

Infermierja Edisona Tahiri ka kërkuar që pagat të ekzekutohen sa më parë, teksa bëri të ditur se me gjithë vonesat, punëtorët shëndetësorë janë duke i kryer punët e tyre.

“Kërkesë e jona është që pagat të dalin me rregull dhe të dalin sa më shpejt. Ne, pavarësisht që nuk i kemi marrë pagat, jemi duke ofruar shërbime që prej muajit gusht dhe jemi në shërbim të QKMF-së gjatë gjithë kohës. Paga është motivim për punëtorin, sepse kur e marrim pagën e kemi edhe një motivim për të vazhduar tutje, por prapë, edhe pse nuk i kemi marrë pagat, motivin e kemi pasur dhe puna është kryer me sukses dhe çdo gjë ka shkuar në rregull”, ka thënë Tahiri.

Infermierja tjetër, Blerta Mehmeti, ka thënë se është e vështirë të punohet pa paga të rregullta.

“Është e vështirë për shkak të pagesave që nuk bëhen me rregull, mirëpo ne si punë e dëshirojmë dhe e bëjmë me dëshirë. Kërkesa jonë është që t’i bartin pagat me rregull, sepse kontributin po e japim maksimal”, ka thënë Mehmeti.

Nënshkruesi i kontratës kolektive për këta punëtorë, mjeku Xhevdet Haxhidemaj ka theksuar se punëtorët janë të nevojshëm për QKMF-në në Ferizaj.

“Në bazë të nevojave që i kanë paraqitur shefat e njësive, numri i punëtorëve të angazhuar përmes Caritas Kosova është rreth 220 punëtorë, prej tyre 33 janë mjekë të përgjithshëm dhe 12 janë stomatologë. Në shikim të parë duket se është numër i madh i tyre, por kur e sheh zbatimin në praktikë të projektit, del që realisht është numër i punëtorëve për të cilët ka nevojë QKMF-ja”, ka deklaruar Haxhidemaj.

E nënkryetari i Komunës, Lulzim Aliu, ka thënë se vonesat po ndodhin shkaku i mungesës së buxhetit gjatë muajve të fundit, si rrjedhojë e disa pagesave kolektive që po bëhen nëpërmjet përmbaruesve privatë.

“Jemi duke bërë përpjekje që gjatë javës së ardhshme ta mbajmë një seancë të jashtëzakonshme që mjetet që janë grumbulluar nga tejkalimi i të hyrave pasi që kemi grumbulluar më tepër mjete sesa ishte e planifikuar dhe do t’i bartim tash për shpenzime nëpër kontrata që varen pagat e punëtorëve, në mesin e tyre është edhe Caritas Kosova”, është shprehur Aliu.

Ai ka bërë zotimin se që nga muaji i ardhshëm punëtorët do t’i marrin të gjitha pagat e mbetura.