Arbëri

Qe 12 vjet Komuna s’e ndërton infrastrukturën e trojeve në Tabje

Kanë kaluar 12 vjet që kur Komuna e Pejës u ndau troje familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, në kodrinën e Tabjes në Pejë.

Por, në mungesë të infrastrukturës elementare, ndërtimin e së cilës e kishte marrë përsipër komuna, askush nuk ka ndërtuar shtëpi në atë vend.

Mospërmbushja e këtyre obligimeve për ndërtimin e infrastrukturës, ka acaruar familjet e dëshmorëve.

“Qe 12 vjet kemi pritë nga Kuvendi Komunal që të bëjë diçka për trojet që janë ndarë në Tabje. Qe 12 vjet nuk është bërë asgjë”.

Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve ka kërkuar edhe sivjet nga komuna të ndajë mjete për ndërtimin e infrastrukturës në Tabje, sa më shpejt të jetë e mundur.

Por, ky afat mund të zgjasë së paku deri në vitin e ardhshëm, pasi as për sivjet komuna nuk e parasheh ndërtimin e infrastrukturës.

“Duhet të bëhet një projekt i detajuar për arsye se terreni është jashtëzakonisht i papërshtatshëm dhe nuk mund të fillohet vetëm me një paramasë ose parallogari për ndërtimin e atyre rrugëve. Do të krijohet hapësirë përmes projektit detal dhe pastaj do të shikohet mundësia që të futet në buxhet rregullimi i atyre pllaceve në vitin tjetër”.

Ndërkohë, përfituesit e trojeve nuk përjashtojnë mundësi të tjera, në rast se Komuna nuk ndërmerr veprime rreth kësaj çështjeje.

“Sigurisht që do të marrim një vendim ose do t’i kthejmë ato vendime, që dhuratën që na e ka dhënë komuna t’ua kthejmë përsëri se ata nuk po i plotësojnë obligimet që i kanë marrë për infrastrukturë”.

Komuna më 2009 i kishte ndarë gjithsej 217 troje me nga 3 deri 4 ari sipërfaqe, prej të cilave 184 troje për familje të dëshmorëve dhe të tjerat për invalidë të luftës dhe viktima civile.

Trojet janë dhënë në shfrytëzim të përhershëm, por pa të drejtë të shitjes.