Punimet për pastrimin e rrugës nga rrëshqitja e dheut në njërën pjesë të segmentit Suharekë-Prizren të autostradës “Ibrahim Rugova” kanë vijuar të mërkurën. Plani i Ministrisë së Infrastrukturës është që kjo pjesë të hapet për qarkullim në orët e mbrëmjes.
Segmenti nga Suhareka deri në Prizren në autostradën “Ibrahim Rugova” ka vazhduar të jetë i mbyllur për qarkullimin e automjeteve gjatë ditës së mërkurë, si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Punimet për pastrimin e kësaj pjese kanë vijuar nga operatori për mirëmbajtjen e autostradës, ndërkaq kahu nga Prizreni në drejtim të Prishtinës është i lirë për qarkullim.
Menaxheri i autostradës nga Ministria e Infrastrukturës, Ferit Tafallari, ka treguar se rrëshqitja në kilometrin e 26-të në anën e majtë të drejtimit Vërmicë-Gjurgjicë ka ndodhur të martën rreth orës 16:40, dhe se për shkaqe sigurie është mbyllur qarkullimi rrugor dhe kanë filluar punët për pastrim.
“E kemi orientuar komunikacionin, e kemi zgjidhur problemin e komunikacionit, e kemi drejtuar në drejtim tjetër, nga Suhareka deri në (Prizren) veri dhe menjëherë kanë filluar punimet e kompanisë për mirëmbajtjen e autostradës, të cilën rrëshqitje jemi duke e eliminuar. Po shpresojmë deri në orët e mbrëmjes ta pastrojmë dhe do ta orientojmë komunikacionin që të qarkullojë lirshëm”, ka thënë Ferit Tafallari, menaxher i autostradës nga MMPHI-ja.
Sipas tij, rrëshqitjet e tilla të dheut janë të natyrshme dhe ato shkaktohen nga ujërat atmosferike.
“Kjo që ka ndodhur është prej ujërave atmosferike. Janë sende të zakonshme që ndodhin. Këtu është e vërtetë që dje nuk ka pasur të reshura, por siç jeni të informuar të reshura ka pasur para një muaji, vërshime kemi pasë, dhe dheu i cili është në atë pjesë të autostradës është dhe, i cili e pi ujin dhe me ngopjen e dheut, pas një kohe ka ardhur deri te rrëshqitja”, ka thënë Tafallari.
Policia e autostradës të martën dhe të merkurën ka asistuar në rregullimin e komunikacionit, ndërkaq Ministria e Infrastrukturës ka kërkuar mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve që e shfrytëzojnë këtë rrugë, që nga Suhareka deri në Prizren ta shfrytëzojnë rrugën nacionale N25, deri në pastrimin e plotë, që planifikohet të përmbyllet në orët e mbrëmjes.