Arbëri

PZAP-ja ankohet për mungesë stafi në fushatë zgjedhore

Tefik Mahmuti, ushtrues detyre i shefit të sekretariatit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka thënë se kanë mungesë të stafit për fushatën zgjedhore dhe se kjo mund të vështirësojë trajtimin e ankesave nga subjektet politike apo palët e interesuara.

Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së, Mahmuti ka thënë se kanë bërë kërkesa për shtim të buxhetit në instancat gjegjëse, por u është refuzuar.

“Buxheti është i ndarë në dy pjesë, një për stafin ekzistues të përhershëm që punon jashtë orarit dhe duhet të ketë kompensime siç parasheh ligji, por edhe një pjesë të stafit shtesë që duhet të paguar nga një kategori e veçantë ‘mallra dhe shërbime’. Në këto dy kategori janë kërkuar mjete shtesë për të angazhuar staf rezervë, por nuk janë aprovuar nga instancat gjegjëse. Kemi dorëzuar shkresat te Ministria e Financave, Zyra e Kryeministrit, në Komisioni parlamentar për buxhet dhe financa, por fatkeqësisht nuk u aprovua”, ka thënë ai.

Mahmuti u shpreh se deri tash kanë arritur që ankesat e subjekteve politike t’i trajtojnë me kohë dhe se nuk është shfaqur ndonjë vështirësi e theksuar, porse kjo mund të ndryshojë në ditët në vazhdim meqë tani është vetëm fillimi i fushatës.

“Kemi arrit me nxjerr vendime në kohën e paraparë ligjore përkundër sfidave si mungesa e stafit... deri tash nuk kemi pas ndonjë vështirësi, përkundër që ne si institucion po bëjmë të pamundurën që t’u ofrojmë subjekteve politike dhe palëve të interesuara kohën e mjaftueshme për të parashtruara ankesa. Edhe po e mbajmë zyrën hapur edhe pas orarit”, ka shtuar ai.

Në vendimet e 15 janarit, PZAP-ja dha dënimet e para për subjektet politike. LDK-ja u dënua me 20 mijë euro, AAK-ja me 12 mijë, ndërsa LVV-ja me tre mijë euro. Të gjitha u dënuan për shkelje të Kodit të Mirësjelljes.

Mahmuti bëri të ditur se deri tash i kanë edhe 18 ankesa që nuk janë shqyrtuar, ndërsa tregoi se në krahasim me zgjedhjet e kaluara parlamentare, në këto ditë të para të fushatës, numri i ankesave është shumë më i ulët.