Arbëri

Pyetje të testit për infermierë në Lipjan u shpërndanë para se të mbahej

Në konkursin për infermierë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare të Lipjanit, kandidatët të cilët iu nënshtruan testimit me shkrim, posedonin pyetje të tij një ditë para se të mbahej. Përfaqësues të Komisionit, megjithëse pranuan se pyetjet ishin të njëjta me ato që u shpërndanë në rrjete sociale, thanë se nuk ka mundësi që të rrjedhin pyetjet e testit. E nga Drejtoria e Shëndetësisë në këtë Komunë, u shprehën se nuk kanë informacione nëse ka ndodhur një gjë e tillë

Pyetje të testit për pranim të infermierëve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare të Lipjanit, u shpërndanë në një rrjet social një ditë para se t’u nënshtroheshin kandidatët testimit me shkrim.

Testi i mbajtur të shtunën (28 tetor) përmbante edhe këtë pyetje: “Ndodh një fatkeqësi në qytetin ku punoni dhe në qendrën ku jeni ju duke punuar, ju vijnë disa pacientë me gjendje të rëndë shëndetësore. Cili nga pacientet ka prioritet në raport me të tjerët në dhënien e ndihmës së parë?

Për triazhën e radhitjes së përgjigjeve të pyetjes një ditë para testit, kërkoi ndihmë në orët e vona të mesnatës personi me emrin Lule, në një grup me emrin “Infermieria” në rrjetin social Telegram.

KOHA ka kontaktuar me personin me inicialet L.M, që dyshohet të ketë qenë në grup me emrin Lule.

Por sipas saj, nuk ka pasur pyetje të testit dhe nuk e di se kush ka publikuar fotografinë.

“Unë nuk i kam vjet për me u marrë me këto gjëra, ku të rrinë rinia nëpër Telegram e të bëjnë dallavere. Po më vjen shumë keq, kush e ka qitë atë foto nuk e di, ama unë nuk kam pas foto as të testit, as të askujt”, ka thënë ajo.

Pas disa minutave bisedë, L.M që është në listën e ngushtë të të pranuarve pas testimit me shkrim dha deklaratë kontradiktore në lidhje me përdorimin e rrjetit social Telegram.

“Kur kam qenë në fakultet, kam pasur Telegram. Më pas, prej se e kam përfunduar fakultetin para 1 viti e gjysmë, telegram nuk kam”, ka shtuar tutje L.M.

Se pyetja e publikuar në rrjete sociale ishte edhe në test, për KOHËN e kanë pranuar edhe disa kandidatë të tjerë, por të cilët nuk kanë dashur të identifikohen.

Këtë e ka konfirmuar edhe Violeta Bunjaku, kryesuese e Komisionit që bënë përzgjedhjen e kandidatëve.

“Po ka qenë”, u përgjigj Bunjaku.

Bunjaku ka thënë se testi zakonisht përpilohet nga komisioni 24 orë para se ai të mbahet dhe se nuk ka pasur mundësi që të rrjedhë paraprakisht.

“Testi përpilohet nga Komisioni, i cili përbëhet nga pesë anëtarë. Jemi dy mjekë, dy infermierë dhe zyrtarja e personelit. Testi formulohet një ditë përpara 24 orë, dhe së bashku të gjithë e formulojmë testin, pastaj i formulojmë edhe përgjigjet e testit. Por, nuk ka mundësi kurrsesi me rrjedh testi”, ka thënë Bunjaku.

Sipas saj, nëse vërtetohet një gjë e tillë, testi do të anulohet.

“Unë me besim të plotë them që nuk ka rrjedh, nëse ka fakte, nëse ka dëshmi atëherë na i tregoni, por nuk mundet me rrjedhë. Nëse vërtetohet atëherë duhet të anulohet testi. Nëse vërtetohet me fakte, me dëshmi duhet të anulohet testi”, ka theksuar kryesuesja e Komisionit.

E, Shkelzen Hajdini, drejtor i Shëndetësisë në Komunën e Lipjanit, u shpreh se konkurrenca në këtë konkurs për infermierë ka qenë e madhe, teksa ka shtuar se nuk ka informacione nëse pyetjet kanë rrjedhur para testimit të kandidatëve.

“Unë nuk besoj që mund të qarkullojë, ngase nuk është hera e parë që ne organizojmë procedura të rekrutimit. Komisioni është profesional, po unë nuk besoj, nuk kam informacion që ka qarkullu ndonjë pyetje”, ka thënë Hajdini.

Konkursi për përzgjedhjen e shtatë infermierëve në QKMF të Lipjanit është hapur më 17 gusht të këtij viti. Në të kanë aplikuar rreth 140 kandidatë, ndërsa 104 i janë nënshtruar testimit me shkrim, ku 28 prej tyre janë pranuar në listën e ngushtë për fazën e intervistimit me gojë.