Arbëri

Pushteti “zbarkon” në liqenin në veri

Në veriun ku janë vrarë policët Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku është organizuar edhe një aktivitet. Dita memoriale e policëve të rënë në krye të detyrës është shënuar me hedhje nga ura në liqenin e Ujmani. Aktiviteti është ndjekur nga shumë zyrtarë qeveritarë

Harqet e urave mbi Liqenin e Ujmanit të premten kanë marrë pamje tjetër. Forca të shtuara të policisë nga njësi të ndryshme janë vendosur në pothuajse secilin cep të tyre.

Për detyrë kanë pasur garantimin e sigurisë për një aktivitet që nuk është zhvilluar më parë në Liqenin e Ujmanit, i cili ndodhet në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë.

Kërcimi nga ura mbi Ujman është organizuar në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës memoriale të Policëve të rënë në kryerjen e detyrës.

Përveç drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, këtë aktivitet e kanë përcjellë edhe një pjesë e konsiderueshme e zyrtarëve të

kabinetit qeveritar.

Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, zëvendësministra, deputetët Fitore Pacolli, Artan Abrashi dhe Ardian Gola kanë qenë vetëm disa nga pjesëmarrësit.

Nuk ka munguar as kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, e në radhë të parë ishin të pranishëm edhe dy djemtë e policëve të vrarë në veri, Enver Zymberi e Afrim Bunjakut.

Hedhjen për herë të parë nga ura mbi Ujman e ka konsideruar si ngjarje të veçantë njëri nga kërcyesit. “Ngjarja është e papërshkrueshme. Unë për herë të parë kam ardhur këtu, sot u lava për herë të parë edhe kam për ta bërë një kërcim për herë të parë, prej një lartësie që asnjëherë më parë nuk kam kërcyer, nga 22 metra”, ka thënë Ferit Gashi, kërcyes nga Gjakova.

Kërcimi i Gashit, por edhe i pesë kërcyesve të tjerëve është shoqëruar me duartrokitjet e të pranishmëve, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë pushtetarë. Kurajë për t’u hedhur dhe instruksione për t’u realizuar sa më mirë u kanë dhënë edhe nga poshtë urës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është zotuar se në përvjetorë të tjerë do të zgjerohen aktivitetet.

“Do të punojmë që edhe numrin edhe llojet e aktiviteteve t’i shtojmë, edhe që në mënyrën më të mirë të mundshme t`i kujtojmë dëshmorët tanë”, ka thënë Sveçla.

Numrin e shtuar të zyrtarëve policorë të angazhuar për këtë aktivitet, për të cilin nuk ka pranuar që të zbulojë numra, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, e ka arsyetuar me zhvillimin për herë të parë të aktivitetit.

“Këto kërcime që janë bërë, sportive, unë konsideroj se nuk janë bërë asnjëherë. Ndoshta janë bërë, por unë së paku nuk e di. Për këtë arsye edhe masat e para, fillimisht, merren për të siguruar që çdo gjë kalon mirë, çdo gjë kalon qetë. Konsiderojmë që është duke kaluar qetë, kështu që janë masa të domosdoshme”, ka thënë Elshani.

Aktiviteti rreth njëorësh për nder të policëve të rënë është përmbyllur me ndarje të mirënjohjeve për kërcyesit dhe zhytësit që janë angazhuar.