Rregulli i deritashëm i përfaqësimit e lë pushtetin pakicë në KQZ. Por, nëpërmjet pyetjeve që i ka adresuar në Kushtetuese, sipas opozitës, presidentja Vjosa Osmani do që ta ndërrojë këtë rregull, nën motivin për ta bërë pjesë të KQZ-së një ish-bashkaktiviste politike të saj, dhe për t’ia siguruar pushtetit shumicën në këtë institucion. Pakënaqësi me vendimin e Osmanit ka edhe tek komunitetet
Pushteti do të jetë pakicë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nëse aplikohet formula e deritashme e përfaqësimit në këtë institucion. Por, tash kur i ka bërë emërimet e anëtarëve, presidentja Vjosa Osmani nuk ka vepruar sipas këtij rregulli.
Ajo ka kërkuar të dijë nga Gjykata Kushtetuese nëse përfaqësimi në KQZ duhet të jetë në proporcion me fuqinë e subjekteve politike në Kuvend.
Kësisoj, formula e re do ta bënte Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) në pushtet me 3 anëtarë, e Partinë Demokratike (PDK) në opozitë do ta linte me një.
Betim Gjoshi, sekretar organizativ i PDK-së, thotë të ketë parë tek presidentja Osmani një tendencë për t’ia grabitur mandatin e dytë kësaj partie.
“E ka marrë një akt fillimisht me e vonu këtë proces, kur i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, edhe përkundër që e di që Gjykata Kushtetuese nuk jep përgjigje për raste të tilla”, thotë ai. “Ajo si juriste modestë do të duhej ta dinte se ekziston një vendim i 2018-s që iu ka përgjigje për të njëjtin nen presidentit të asaj kohe dhe i ka treguar që nuk do të japë më përgjigje për raste të tilla”.
Gjoshi ka folur edhe mbi motivet që mund ta kenë shtyrë shefen e shtetit për ta ndërmarrë këtë hap.
“Kandidatja që është në radhë, ose që është propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, i takon Listës Guxo, listë që e ka drejtuar presidentja që tashëm është në detyrë. Pra, është kandidatja me numër 80, Gresa Bytyqi, dhe është duke tentuar që t’ia krijojë edhe një favor edhe qeverisë që të krijojë njëfarë shumice brenda KQZ-së, por edhe subjektit politik me të cilin ka garuar bashkë me Vetëvendosjen”, ka thënë Gjoshi.
Në Presidencë dhe as në Vetëvendosje nuk i janë përgjigjur akuzave të PDK-së.
Kushtetuta në nenin 138 përcakton që gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara. E, nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë, theksohet në këtë nen.
Sipas të njëjtit, një anëtar emërohet nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetin serb të Kosovës dhe tre anëtarë nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetet e tjera që nuk janë shumicë në Kosovë.
Mbështetur në këtë përfaqësimi që deri tash është aplikuar, opozita do t’i kishte pesë anëtarë: PDK-ja 2, LDK-ja 1, AAK-ja 1 dhe Lista Serbe 1. Po kaq edhe subjektet në pushtet: Vetëvendosja 2 dhe nga një 3 komunitetet joserbe, që të gjitha janë pjesë e koalicionit.
Në këtë situatë, vendimmarrja do të diktohej nga vota e kryetares Valdete Daka, të cilën Vetëvendosje e ka akuzuar se është në krah të opozitës.
Pakënaqësi kanë shprehur edhe në koalicionin Vakat, subjekt që ka fituar më së shumti vota nga radhët e komunitetit boshnjak, pasi druajnë se presidentja do që ta bëjë me përfaqësues në KQZ të propozuarin e partisë së zëvendëskryeministres Emilja Rexhepi.
Rasim Demiri, kryetar i koalicionit Vakat, e kualifikon joligjor vendimin e osmanit.
“Kjo tash çka ka ndodhur nga ana e Presidentes, është shkelje e ligjit, sepse pa marrë parasysh se ne tri partitë boshnjake që kemi tre deputetë – që jemi të barabartë për kah numri i deputeteve – ne si parti kemi dyfish vota më shumë se dy partitë tjera”, ka thënë Demiri.
E, në të dyja partitë e pakënaqura kanë paralajmëruar veprimet, në rast se dëmtohen nga ky proces përfaqësimi në KQZ.
Betim Gjoshi i PDK-së ka thënë se rastin do ta dërgonin në Kushtetuese.
“Është një shkelje haptazi e Kushtetutës dhe njëanshmëri karshi një subjekti politik dhe ne do t’i ndjekim rrugët ligjore, por edhe politike karshi një veprimi të tillë”, ka thënë ai. “Është një tendencë e hapur për të pasur ndikim. Ne e kemi parë edhe gjatë zgjedhjeve të fundit një tendencë të ushtrues së detyrës së presidentes që të ndikojë në KQZ përmes kërcënimeve që i kanë bërë këtij institucioni”.
E, Rasim Demiri i Vakatit, ka përmendur një institucion tjetër ku do të drejtohej.
“Ne do t’i drejtohemi Avokatit të Popullit. Avokati i Popullit ka të drejtë të marrë mendim nga Kushtetuesja”, ka theksuar Demiri. “Në këtë mënyrë ne mendojmë që vetëm do të vonojnë me këtë proces, dhe në fund sipas ligjit, sipas krejt rregullave që janë, koalicioni Vakat do ta ketë anëtarin në KQZ”.
Javën e shkuar presidentja Osmani ka emëruar 8 nga 10 anëtarët e KQZ-së. Sipas Presidencës, dy emërimet e fundit do të bëhen, pas përgjigjes që do ta japë Kushtetuesja.