Arbëri

Pushteti kritikon sërish Kushtetuesen, kësaj here për mospublikim të aktgjykimeve të plota

Gjykata Kushtetuese është bërë sërish cak i kritikave nga pushteti. Dy ministra të Qeverisë Kurti, në dy reagime të ndara kanë kritikuar këtë institucion për çështje të njëjtë - mospublikimin e aktgjykimeve të plota për shqyrtimin e ligjeve, nga të cilat preken dikasteret që drejtojnë

Kritikat ndaj Gjykatës Kushtetueses i kanë rikthyer eksponentët qeveritarë të hënën.

Në dy reagime të ndara, ministra të Qeverisë Kurti, kanë kritikuar këtë institucion për mospublikimin e aktgjykimeve të plota për shqyrtim të dy ligjeve.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, është ankuar lidhur me Ligjin për Pagën Minimale.

“Aktgjykimi i plotë për Ligjin për Pagën Minimale ende nuk është publikuar, megjithëse ka kaluar më shumë se një muaj që nga publikimi i njoftimit nga Gjykata Kushtetuese që konstaton se Ligji për Pagën Minimale nuk bie ndesh me Kushtetutën.   Janë me dhjetëra mijëra të punësuar që po e presin tash e një vit hyrjen në fuqi të këtij ligji, e me të edhe rritjen e pagës së tyre.  Sikur të mos mjaftonte vonesa prej 11 muajsh përgjatë shqyrtimit, ligji ende nuk është në fuqi për shkak të mos-publikimit të aktgjykimit të plotë”, ka shkruar Murati në Facebook. 

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për atë të Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Edhe sa ditë të tjera i duhen Gjykatës Kushtetuese? Kanë kaluar më shumë se një muaj nga njoftimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme por ende nuk është publikuar Aktgjykimi i plotë. Rrjedhimisht, po bëhen 518 ditë prej kur Gjykata e ka në trajtim këtë reformë të rëndësishme. Vonesat e tilla vazhdojnë të jenë goditja e radhës ndaj reformës dhe qytetarëve”, tha Haxhiu. 

Një muaj më parë, Gjykata Kushtetuese, ka marrë vendim për të dyja ligjet e kontestuara në Kushtetuese nga partitë opozitare.

Në lidhje me Ligjin për pagën minimale, Kushtetuesja nuk ka gjetur shkelje, derisa për atë për Byronë, ka konstatuar se pesë nene janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Eksponentë qeveritarë, nisur nga kryeministri Albin Kurti, në vazhdimësi kanë kritikuar Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimet e saj.

Sidomos në lidhje me ligjet që ndërlidhen me reformën në drejtësi, pushteti ka kritikuar ashpër gjyqtarët, duke aluduar se me qëllim janë duke i penguar ndryshimet.