Brenda ditës tre qytetarë u sulmuan nga qentë endacakë në Prishtinë. Njëri nga ta u sulmua brenda oborrit të QKUK-së, ku ishte për kontroll specialistik dhe që për shkak të plagëve përfundoi në Emergjencë. Sipas të dhënave të Policisë, brenda periudhës 2018-2023, 219 persona kanë qenë viktima të sulmit prej qenve endacakë
Mëngjesin e së premtes Shaban Nikqi shkoi për kontroll mjekësor në Qendrën Klinike Universitare, por përfundoi në Emergjencë pasi në oborrin e këtij institucioni u sulmua nga qentë endacakë.
Me dokumente mjekësore në duar, ai tregon plagët dhe trajtimin që mori e në rrobat e dëmtuara i qëndrojnë ende gjurmët nga sulmi.
“Jam sulmuar, kam pësuar lëndime, më është dashur në Emergjencë të shkoja dhe të merrja ndihmën e parë. Prej aty në Infektive i kam marrë dy vaksina. Kam bërë analiza, terapi, plus kontrolle mjekësore të tjera të nevojshme”, ka thënë Nikqi.
Rastet e sulmit të qytetarëve nga qentë endacakë në QKUK nuk janë të rralla.
Në këtë institucion thanë se shqetësimin e kanë përcjellë disa herë tek zyrtarët e Komunës së Prishtinës dhe se janë në pritje për t’u ndërmarrë veprime. E, në Komunë nuk iu përgjigjën pyetjeve të kohës për masat e ndërmarra.
Gjatë të premtes edhe një qytetare u sulmua nga qentë në rrugën “Vellusha” në kryeqytet e një tjetër i tregoi KOHËS se qentë e kafshuan në qendër.
Të rrezikuar nga qentë endacakë, qytetarët thonë se ndihen në hapësira të ndryshme të Prishtinës.
Tufa qensh frekuentojnë edhe zonën përreth Bibliotekës Kombëtare. Dy vjet më parë Komuna vendosi në këtë hapësirë një pikë ushqyese për ta e përmes së cilës vlerësoi se rritet siguria e qytetarëve meqë qentë ngopen.
Por, ata shprehen se gjatë kalimit në këtë pjesë nuk ndihen të sigurt. Qytetarja Arjeta Elshani, thotë se ka frikë përherë sidomos për fëmijët.
“Ne banojmë tek lagjja ‘Aktash’ edhe fëmijët i kam në shkollën “Faik Konica” dhe kalojnë çdo ditë andej. Sigurisht që e shohim shumë të rrezikshme edhe çdo ditë jemi të shqetësuar derisa fëmija të kthehet në shtëpi”, ka thënë Elshani.
Përveç vendosjes së disa pikave ushqyese, Komuna e Prishtinës vitin e kaluar mori vendim për subvencionimin me nga 50 euro të qytetarëve që adoptojnë qen endacakë. Por këto iniciativa, sipas tyre, janë të pamjaftueshme. Elshani thotë se situata nuk u përmirësua pavarësisht tyre.
“Ka pasur incidente edhe pas ndërmarrjes së iniciativave të Komunës që i ushqejnë, janë do qendra d.m.th. atje që ushqehen qentë, prapëseprapë ka pasur incidente dhe normal kur fëmija enden çdo ditë, si prind jemi të shqetësuar në këtë drejtim”, ka thënë ajo.
E qytetari që u sulmua gjatë së premtes në QKUK, kërkon llogari nga Komuna e Prishtinës për moszgjidhje të problemit të kamotshëm.
“Kisha me ju bërë një pyetje, kompetentëve, komunarëve, njerëz të cilët merren me këtë lëmë - a është kjo gjë normale apo është dukuri që duhet të ndodhin edhe sa e sa raste të ndodhin që njerëzit, qytetarët tanë të sulmohen nga qentë endacakë të cilët besoni, nuk mundeni me besu, përmbi 20. Fati që kanë qëlluar edhe disa qytetarë aty dhe kam shpëtuar se është kanë shumë, shumë e tmerrshme”, ka thënë Elshani.
Gjatë vitit të kaluar një fëmijë katërvjeçar u kafshua nga qentë endacakë brenda oborrit të një çerdheje, e një tjetër dyvjeçar u sulmua në fytyrë midis sheshit “Nënë Tereza”.
Në Komunën e Prishtinës gjatë ditës së premte nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS lidhur me këtë çështje. Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, brenda periudhës 2018-shtator 2023, 219 persona kanë qenë viktimë nga sulmi prej qenve endacakë, 63 raste janë të hapura e 469 të tjera kanë mbetur si shënim zyrtar.