Procesi i subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore u vlerësua nga pushteti veprim inovativ dhe reformues. E opozita e vlerësoi atë si keqmenaxhim dhe hajni. Deputetë të opozitës po ashtu theksuan se shuma e ndarë për blerjen e librave për një fëmijë ka qenë e pamjaftueshme, e pushteti kërkoi që në kuadër të hetimit të përfshihen edhe dokumente për furnizimin e teksteve shkollore gjatë qeverisjeve të kaluara
Komisioni Hetimor për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore ka mbajtur mbledhjen e dytë që nga konstituimi.
Në mbledhjen ku u diskutua rreth listës së dokumenteve dhe dëshmitarëve për hetim parlamentar, opozita e quajti keqmenaxhim dhe hajni procesin e subvencionimit të librave shkollorë.
E procesi i subvencionimit të teksteve shkollore nga pushteti u vlerësua si inovacion dhe reformë.
“Është e rëndësishme të marrim përgjigje nga Ministria se pse nuk ka pasur tekste të reja për nivelin 6-9, dhe paligjshmërinë siç po e quan kolegu për materiale mësimore, kurse për dallim prej kolegut Haxhiu unë nuk i kisha quajtur as keqmenaxhim dhe as paaftësi përkundrazi, inovacion dhe reforme”, ka thënë Arjeta Fejza, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputeti i Partisë Demokratike, Bekim Haxhiu, theksoi se shuma e ndarë nga qeveria për tekstet shkollore ka qenë e pamjaftueshme.
“A kanë mjaftua këto para të subvencionimit për me i ble librat pasi mua nuk më kanë mjaftuar për djalin tim. Do të thotë, i kam shtuar paret e mia, do të thotë paret e subvencionit nuk kanë mjaftuar, prandaj besoj që nuk i kanë mjaftua as të tjerëve po bazohem në përvojë personale”, ka thënë ai.
Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kërkuan që në kuadër të hetimit të përfshihen edhe dokumente për furnizimin e teksteve shkollore gjatë qeverisjeve të kaluara.
Këtë propozim e kritikoi deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati.
“Krejt çka kanë këtu le t’i sjellin, ama tema këtu nuk është për stoqe por për subvencionimin. Por krejt çka kanë, edhe ato SMIA, SMIAL, fëmija le t’i sjellin por mos të kemi konfuzion në diskutim”, ka thënë ai.
Komisioni hetimor është themeluar pasi vitin e kaluar obligimi për t’i blerë tekstet shkollore u është bartur prindërve, pasi Ministria e Arsimit dështoi të arrinte marrëveshje me shtëpitë botuese, duke i akuzuar ato për ofertim me çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre.