Arbëri

Pushteti e opozita në Gjilan afër evitimit të zgjedhjeve për Kuvendin Komunal

Një javë para se të përfundojë afati ligjor për miratim të buxhetit komunal, përfaqësues të pushtetit lokal dhe ata të opozitës në Gjilan janë takuar me qëllimin për t’i përafruar qëndrimet. Kryetari i Gjilanit tha se thuajse të gjitha kërkesat e opozitës ishin të arsyeshme

Përfaqësues të pushtetit qeverisës dhe të opozitës në Gjilan të enjten janë takuar me qëllim për t’i tejkaluar pengesat që kanë bërë që buxheti i Komunës për vitin 2025 të mos miratohet ende.

Kjo komunë që është e vetmja që nuk ka miratuar buxhetin, ka kohë ta bëjë këtë vetëm deri më 1 mars, e në të kundërtën mund të organizohen zgjedhje të parakohshme për Kuvendin Komunal.

Lutfi Haziri, kryetar i degës së LDK-së, tha se për të mos lënë mbi 2 mijë punëtorë pa paga, subjekti që i përket ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me pozitën.

“Ne e kemi dhënë kujdesin tonë, besimin tonë dhe sot po sillemi me vlerësimin se më shumë e duam Gjilanin sesa LDK-në. Kjo është arsyeja e vetme që më ka pru këtu. Nëse dalin ngërçe eventuale, jemi pajtuar që me vazhdu me i tejkalu dallimet, mos me leju që çështje të vogla me e pengu këtë proces”, ka thënë Haziri

Edhe përfaqësues të PDK-së shprehën vullnetin për ta tejkaluar ngërçin.

“Kërkesat tona, të opozitës në përgjithësi ishin: respektimi i hapave ligjorë, organizimi i dëgjimit publik, planifikimi profesional të jetë, të miratohen projekte që janë të zbatueshme në harmoni me planin zhvillimor komunal. Ishte tema kryesore edhe e jona në mënyrë që të mos kemi edhe këtë vit buxhet të pashfrytëzuar qysh ka ndodhur edhe viteve të kaluara, duke filluar prej vitit 2023”, ka thënë Riad Rashiti, kryetar i Degës së PDK-së në Gjilan.

Me gjuhë bashkëpunimi ka folur edhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i cili tha se kërkesat e opozitës ishin të arsyeshme.

“Në takimin që e mbajtëm u rreshtuan një listë e kërkesave nga subjektet politike të komunës sonë. Konsideroj dhe besoj që një pjesë e këtyre kërkesave, për të mos thënë thuajse të gjitha kërkesat, tingëllojnë të arsyeshme dhe mbase mund të realizohen shpejt dhe lehtë. Dhe ky përafrim i qëndrimeve, kjo zbutje dhe reflektim i qëndrimeve nga partitë opozitare konsideroj që i shkon në favor qytetarëve të Gjilanit dhe kjo është më e rëndësishëm”, ka thënë Hyseni.

Ai theksoi se gjatë së premtes do t’i njoftojë zyrtarisht partitë politike për qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje, pas takimit që tha se do ta zhvillojë fillimisht me kryesinë e degës së partisë.

Komuna e Gjilanit është e vetmja në Kosovë që për shkak të mospajtimit pushtet-opozitë, nuk ka mundur ta miratojë buxhetin për vitin 2025.