Arbëri

Pushteti bojkoton seancën në të cilën do të kërkohej anulimi i vendimit për këmbim pronash

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar seanca e Kuvendit Komunal të Prishtinës të mërkurën, në të cilën Lëvizja Vetëvendosje do të kërkonte anulimin e vendimit për këmbimin e pronës komunale në lagjen “Prishtina e Re”, ani pse me ndihmën e këtij grupi të asamblistëve qe hapur rruga për këtë vendim.

Me propozim të kryetarit Përparim Rama e me ndihmën e asamblistëve të Vetëvendosjes që e bënë kuorumin, Kuvendi Komunal i Prishtinës pati vendosur për këmbim të pronës komunale me atë private të dy biznesmenëve me të cilët në të kaluarën Rama ka pasur raporte kontraktuale.

Lëvizja Vetëvendosje - Qendra në Prishtinë përmes një komunikate në Facebook pati njoftuar të martën në mbrëmje se në mbledhjen e së mërkurës të Kuvendit Komunal “do të propozojë anulimin e vendimit të datës 21.12.2023 për këmbimin e pronës komunale në lagjen Prishtina e Re”.

Por seanca e paraparë të mbahej sot, dështoi. Në sallë ishin të pranishëm 20 asamblistë, shumica prej tyre nga VV-ja.

Pas një serie raportimesh të KOHËS, Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë e pati quajtur “të rremë” lajmin, ani pse e pati pranuar që kanë marrë pjesë në këtë seancë.

KOHA ka raportuar se Kuvendi Komunal në fund të dhjetorit ka votuar pro propozimit të kryetarit Rama për të këmbyer pronë komunale te “Prishtina e Re” me pronë private të ish-klientit të Ramës sa ishte arkitekt, në Badoc. Bëhet fjalë për këmbim të një toke komunale ku lejohet ndërtimi që në çmim të tregut kap vlerën disa herë më të lartë se djerrina në Badoc ku nuk lejohet ndërtimi. Prokuroria tashmë ka nisur hetim parapenal, e Komuna është paditur nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Të enjten e javës së kaluar, Ministria e Financave pezulloi ekzekutimin e vendimit të Komunës së Prishtinës për këtë këmbim pronash, e në vendim u shpreh se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka tërhequr “konfirmimin e ligjshmërisë së lëshuar”. Megjithatë Ministria e Financave ka vazhduar që ta mbajë të fshehtë dokumentin me të cilin ua bëri atyre vlerësimin. E bazuar në llogaritjet që i ka bërë KOHA, pasi shuma është prezantuar një ditë më parë nga zyrtarë komunalë, del se kjo ministri e ka vlerësuar 4.500 euro një ar tokë komunale te “Prishtina e Re”, teksa atë private në Badoc me rreth 6.000 për ar.

Miratimi fillestar i ligjshmërisë së vendimit të Komunës për këtë këmbim pronash dhe hyrja në fuqi e tij, ka bërë që Kuvendi Komunal dhe kryetari të jenë të vetmit që mund të vendosin për ndryshim të vendimit.