Akuza për urrejtje patologjike ndaj Ushtrisë Çlirimtare ka drejtuar deputeti i Partisë Demokrati të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ndaj menaxhmentit të Radiotelevizionit të Kosovës, gjatë mbledhjes së Komisionit për Administratë Publike të hënën. Në këtë mbledhje pati kritika edhe ndaj Bordit të RTK-së për zgjedhjen e drejtorit dhe zv.drejtorit të ri të televizionit publik. Gjatë raportimit një anëtare e Bordit të RTK-së deklaroi se ka evidentuar disa parregullsi brenda televizionit publik
Kritika për punësime partiake në Radiotelevizionin e Kosovës kanë drejtuar ndaj njëri-tjetrit deputetë të pushtetit dhe opozitës në Komisionin për Administratë Publike, gjatë raportimit të Bordit të RTK-së të hënën.
Përkrahës të partisë në pushtet, i quajti deputeti i Partisë Demokratikë të Kosovës, Mërgim Lushtaku, drejtorin e zëvendësdrejtorin e ri të RTK-së, Rilind Gërvalla dhe Adi Krasta.
E menjëherë reaguan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje duke akuzuar qeverisjet e kaluara për punësime familjare.
“Ke agjencinë në Kosovë që e vërteton nëse ka konflikt të interesit. Në këtë rast për Adi Krastën mendoj që edhe për RTK-në e edhe për ne, edhe për të gjithë është kënaqësi që e kemi një profesionist të tillë... ndërsa për Rilind Gërvallën është në RTK- prej 23 vjetësh, ndërsa Vetëvendosje i ka diku 15 vjet”, ka theksuar deputeti i LVV-së, Valon Ramadani.
Lushtaku hodhi kritika ndaj menaxhmentit të RTK-së edhe për mospromovimin e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ju nuk keni bërë asnjë promo në këtë drejtim, sigurisht që është çështje e brendshme, por RTK-ja ishte dashur të ndihej krenare dhe të bënte një promo për Pavarësinë e Kosovës që i dedikohet përvjetorit të Pavarësisë. Sigurisht që shihet qartë me vetë largimin e promos së UÇK-së që keni një urrejtje patologjike”, ka deklaruar Lushtaku.
E përmes një videoje të shfaqur para ligjvënësve, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka thënë se promon e UÇK-së e kanë shfaqur gjatë tërë kohës më 17 shkurt.
“Sa u përket promove të UÇK-së, nuk është hera e parë që deputeti Lushtaku na përmend se kemi urrejtje ndaj UÇK-së, për 17 Shkurt gjatë tërë ditës kemi pasur deklaratat e ish-udhëheqësve të UÇK-së”, është shprehur Ahmetxhekaj.
Gjatë raportimit anëtarja e Bordit të RTK-së, Shukrije Rama, ka theksuar se ka evidentuar disa parregullsi brenda televizionit publik. Rama akuzoi Ahmetxhekajn se ka tentuar ta frikësonte në mënyrë që të mos i publikonte gjetjet e saj.
“Ndjenja e vetme e pakëndshme që e kam përjetuar ka qenë tendenca për frikësim nga ana e drejtorit të përgjithshëm përmes një ankese drejtuar anëtarëve të Bordit, si tentativë për të ma mbyllur gojën dhe për të ma ndalur zërin, sa u përket çështjeve aktuale në RTK, për të cilat jemi të gjithë përgjegjës”, ka thënë Ramaj.
Ajo nuk arriti t’i tregonte publikisht parregullsitë, pasi deputetët e pushtetit ndërprenë diskutimin për këtë çështje me arsyetimin se është jashtë rendit të ditës.