Arbëri

Pushimet vjetore pezullojnë operimet në Spitalin e Gjakovës

Spitali i Gjakovës “Isa Grezda” ka marrë vendim që nga 7 korriku të ndërpresë punën në sallat operative, pos për raste urgjente.

Në vendimin e siguruar nga KOHA, thuhet se ky vendim është marrë për shkak të periudhës së pushimeve vjetore, por edhe të temperaturave të larta dhe mungesës së kushteve optimale për punë.

“Të ndërpritet puna në sallat operative, për programin e ftohtë (të planifikuar) duke filluar prej datës 07.07.2023. Ky vendim është marrë për shkak të periudhës së pushimeve vjetore, temperaturave të larta dhe mungesës së kushteve optimale në punë. Prej datës 07.07.2023 në sallat operative pranohen vetëm rastet urgjente, deri në një vendim tjetër”, thuhet në vendimin e spitalit “Isa Grezda”.

Aty nuk është e ditur se kur do të rinisë puna.