Arbëri

Bojkotohet puna, s’mblidhet bërlloku në Ferizaj

Qytetarët e Komunës së Ferizajt tash e tri ditë kanë mbetur pa shërbime nga Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastërtia”. Punonjësit e saj po e bojkotojnë punën me kërkesën për rritje të pagave e kushte më të mira për punë. Të mërkurën, ata mbajtën edhe një protestë

Qytetarët e Komunës së Ferizajt tash e tri ditë kanë mbetur pa shërbime për pastrimin e mbeturinave. Kjo për shkak se punonjësit e kompanisë “Pastërtia” kanë hyrë në grevë shkaku i kushteve të dobëta dhe mosrritjes së pagave, ndërkaq gjatë së mërkurës ata kanë organizuar edhe protestë para objektit të kësaj ndërmarrjeje publike.

Përpos kushteve më të mira të punës dhe rritjes së pagave, punonjësit kanë kërkuar që edhe pagat të jepen me kohë, pasi që ende nuk i kanë marrë pagat e muajit të kaluar. Ata kanë kërkuar po ashtu edhe pagesat për shujta ditore, siç kishin marrë premtime kohë më parë. E, si shqetësim tjetër nga protestuesit është përmendur edhe trusti i punëtorëve, i cili, sipas tyre, nuk u është paguar prej më shumë se dy vjetësh.

Mexhid Ramusa, kryetar i Sindikatës së punëtorëve në këtë institucion, ka thënë se individëve të afërt me menaxhmentin u janë rritur pagat, ndërkaq pjesa tjetër është diskriminuar, derisa në anën tjetër janë rritur shërbimet dhe e edhe çmimet ndaj klientëve.

“Ne po kërkojmë të drejtat tona, rritjen e pagës, sepse në këtë kompani një punëtor fizik paguhet vetëm 300 euro. Pra me këto mjete nuk është në gjendje të sigurojë as mbijetesën për vete e lëre për familjen. Prej afër gjashtë muajve jemi në negociata duke kërkuar në mënyrë paqësore që të rriten pagat, sepse jemi në një kohë të inflacionit, i cili është rritur në shkallën më të lartë dhe me 300 euro nuk je në gjendje të bësh asgjë, duke e parë edhe rrezikshmërinë e punëtorëve të cilët po përballen për çdo ditë me kushte të rënda”, ka thënë Ramusa.

Sipas tij, menaxhmenti prej kohësh është duke dhënë vetëm premtime verbale, ndërkaq për punonjësit fizikë nuk janë angazhuar asnjëherë.

“Pagat po u rriten disa nga të afërmve me drejtuesit e kompanisë, ndërkaq të tjerët diskriminohen. Sot është data 10 maj, ndërkaq ne ende nuk i kemi marrë pagat, prandaj edhe ajo pagë e vogël prapë nuk del me kohë. Të gjithë punëtorët jemi të përfshirë në grevë, andaj do të vazhdojmë derisa të arrihen kërkesat tona, si rritja e pagave, dhënia e tyre me kohë, sepse askush nuk e merr me kohë, pra dikush që është i afërt me pushtetin e merr me datën 1, e dikush me datën 20, prandaj ne kërkojmë që të mos diskriminohemi si punëtor”, ka thënë Ramusa.

Ndërkaq Agim Krasniqi, vozitës në këtë kompani, ka theksuar se prej më shumë se dy vjetësh nuk janë paguar paratë e trustit pensional.

“Pra, një vozitës i kompanisë e merr pagën 300 euro, kurse punëtorët e tjerë edhe më të vogla, ndërkaq zyrtarët që e menaxhojnë kompaninë i kanë pagat shumë të larta. Unë punoj mbi 20 vjet në kompaninë ‘Pastërtia’, ndërkaq nga viti i ri ky drejtor na ka thënë se do t’na paguajë ushqimin nga një euro, por deri më tash nuk i ka paguar. Tash ai po del këtu dhe po gënjen. Kërkesat tona janë që të rriten pagat dhe që ato t’i marrim me kohë, sepse ende nuk i kemi marrë paratë e muajit të kaluar”, ka thënë Krasniqi.

Protestuesit kanë thënë se nuk do ta rifillojnë punën për mbledhjen e mbeturinave në qytet derisa menaxhmenti të marrë vendim për rritjen e pagave dhe për krijimin e kushteve më të mira të punës.

“Janë mbi 20 deri në 30 veta që marrin pagë dhe një herë në vit vijnë në kompani, ndërkaq punëtorët fizikë me mish e me shpirt mundohen të punojnë për ta rritur rrogën, kurse këtu nuk merr masa askush. Këtu ka pagë 600, 700 dhe 800 euro, kurse ne si punëtorë marrim nga 300 euro”, ka thënë Arif Ahmeti, një tjetër punëtor që ishte në protestë.

Ndërkaq drejtori ekzekutivi i kësaj kompanie, Basri Syla, ka thënë se gradualisht janë duke u vendosur kritere për të gjithë punonjësit që ta respektojnë orarin e punës, të kenë kushte më të mira dhe të shqyrtohen kërkesat e tyre.

“Është e vërtetë që ka kërkesa për rritje të pagave, por është e vërtetë se kemi premtuar se do të rriten pagat, andaj nuk besoj se kalojnë dy muaj... sepse janë bërë planifikimet për ta rritur inkasimin në mënyrë që të rriten pagat, sepse ne jemi kompani me të hyra vetjake. Sa u përket avancimeve, është e vërtetë se njerëzit të cilët punojnë edhe avancohen, andaj unë si kryeshef më duhet ta kem ekipin time punues për punët ditore që i bëjmë, ndërkaq pjesa tjetër nuk qëndron, andaj mund të kenë qëllime politike”, ka thënë Syla.

Ai ka thënë se është marrë vendim që secili punëtor t’i marrë nga 3 euro për shujta ditore.

“Sa u përket shujtave nga 2 euro, tash e tutje do t’i marrin nga 3 euro, sepse këto janë mundësitë tona. Ndërkaq qe 20 vjet punëtorët e kësaj kompanie bëjnë bojkote të tilla të punës, mirëpo ne nuk do të lejojmë një gjë të tillë, sepse nuk mund t’i lëmë qytetarët pa shërbime. Andaj këtu ka edhe qëllime politike nga individ të caktuar, por sidoqoftë ne e dimë se ka nevojë për t’i rritur pagat dhe për t’i rritur shujtat. Kapacitetet e kompanisë janë të tilla, sepse ne financohemi nga të hyrat e inkasimit dhe nuk mund të rriten pagat siç kemi dëshirë ne”, ka thënë Syla.

Kompania rajonale e mbeturinave “Pastërtia” në Ferizaj ka gjithsej 275 punëtorë, ndërkaq, sipas drejtorit Syla, pagat e këtij muaji janë vonuar shkaku i festave zyrtare. Festë ishte në datat 1 dhe 9 maj.