Arbëri

Punonjësit e “Eko-Regjionit” në Suharekë në grevë, kërkojnë rritje pagash

Zyrtarë të kompanisë kanë shprehur mirëkuptimin për kërkesat e punëtorëve, porse, sipas tyre, në situatën aktuale financiare nuk mund t’i realizojë kërkesat. E kreu i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, publikisht u ka dhënë të drejtë punëtorëve të njësisë së kësaj kompanie

Rreth 50 punëtorë të kompanisë rajonale të mbeturinave “Eko-Regjioni” të njësisë në Suharekë janë futur në grevë me kërkesën për rritje pagash.

Sipas tyre, inflacioni ka shkaktuar rritje enorme çmimesh dhe se me pagën aktuale nuk po mund t’u bëjnë ballë shpenzimeve. Në të njëjtën kohë kanë përkujtuar se në saje të angazhimit të tyre kjo komunë e ka fituar epitetin e qytetit të pastër dhe të luleve.

"Qe një vit 22 - 25 euro na i kanë rritë pagat, por s'po mund t’i përballojmë shpenzimet. Ka punëtorë që prej fshatrave të largëta kur vjen fundi i muajit u harxhohen paratë, as naftë me i qit kerrit nuk kanë", ka thënë Beqir Maliqaj, vozitës në “Eko Regjioni”.

Petrit Berisha, po ashtu vozitës, thotë se punëtorët e terrenit të kësaj kompanie janë më meritorët që qyteti njihet për pastërti.

e dimë që u shpallë qytet më i pastër në Kosovë. Ne kemi punuar, tjetërkush nuk e ka bërë. U shpallë edhe qytet i luleve, prej pastërtisë. Mos me e mbajtë pastërtinë nuk ishte shpallur”, deklaroi Berisha.

Burim Shala, kryeshef ekzekutiv në KRM “Eko Regjioni”, ka pohuar se pajtohet me kërkesat e punëtorëve të njësisë në Suharekë, porse ato nuk mund të realizohen pa rritjen e tarifave për menaxhimin e mbeturinave të amvisërisë nga komunat nga 4.5 euro në 6 apo 6.5 euro. Sipas tij, janë shtrenjtuar tarifat për deponitë, por edhe shpenzimet operacionale të kompanisë.

Ai ka theksuar se në janar të vitit 2022 janë rritur pagat e punëtorëve për 30 euro, dhe se në qoftë se rriten tarifat për amvisëritë atëherë pagat do të rriten edhe për 50 euro nga 1 janari i vitit 2024. Thotë se për këtë e ka marrë edhe pajtimin e Bordit të Kompanisë.

“U pajtuam të gjithë se pasi të bëhet ngritja e tarifave nëpër komuna të bëjmë shikimin edhe të ngritjes së pagave të punëtorëve. Mirëpo momentalisht në këtë kohë që po flasim nuk kemi mundësi, jo që nuk duam ne. Në qoftë se ke mjete në bankë dhe nuk do është muhabet tjetër. Ne po flasim që nuk kemi mundësi, nuk ka mjete”, ka thënë Burim Shala, kryeshef ekzekutiv i kompanisë.

Me kërkesat e punëtorëve të njësisë së Suharekës është pajtuar edhe kryetari i Komunës, Bali Muharremaj. Ai të mërkurën ka vlerësuar angazhimin e tyre për mjedis të pastër.

e ‘Eko Regjionit’ nuk dëshirojnë me punu dhe po e them në mënyrë publike, plotësisht kanë të drejtë. Nuk është sot pagë 300 euro. Edhe a e dini pse, i nënçmojnë më së shumti. Për mua është fuqia kryesore “Eko Regjioni” në Suharekë, që vazhdimisht e ka mbajtur një ambient shumë të pastër, e krejt kjo temë po lidhet për ambientin, edhe punën më të madhe e kanë bërë gjatë pandemisë kur ne kemi qenë në shtëpi, ata kanë qenë heronjtë e vendit tonë”, ka thënë Muharremaj.

KRM “Eko-Regjioni” është kompani e licencuar për mbledhje, grumbullim dhe transportim të mbeturinave në komunat e Prizrenit, Suharekës, Dragashit, Rahovecit dhe Malishevës.