Arbëri

Punimet në objektin e ri të shkollës në Pozheran drejt përmbylljes

Drejtoria komunale e arsimit në Viti ka bërë me dije se punimet në objektin e ri të shkollës “Halil Alidema” në fshatin Pozheran po shkojnë drejt përmbylljes. Deri tani janë realizuar 80 për qind e punimeve në këtë objekt. Në objektin e ri të shkollës pritet të vendosen 477 nxënës.

Projekti financohet nga Qeveria e Kosovës dhe punimet kishin filluar në vitin 2017. Pikërisht për kohëzgjatjen e punimeve kishte pasur vërejtje ngase qeverisja komunale ka konsideruar se ka pasur zvarritje të punimeve. Është paraparë që punimet të përfundojnë vitin e ardhshëm. Drejtori komunal i arsimit, Basri Aliu shprehet se kompanitë të cilat angazhohen në projekte të ndryshme publike duhet të kenë një buxhet të konsoliduar sepse në rast se ndodh që Qeveria vonohet në lëshimin e mjeteve financiare, atëherë kompania duhet të vazhdojë tutje me punimet pavarësisht këtyre vonesave.

“Janë duke punuar dhe mjetet janë të ndara ato janë paraparë nëpër vite. Kompanitë që kontraktohen nuk kanë mundësi të investojnë nga buxheti i tyre dhe kësisoj kemi zvarritje. Munden ta realizojnë projektin sipas planit dinamik dhe paratë i marrin më vonë por kështu nuk po punojnë. Shembull të mirë kemi shkollën e Drobeshit me plan dinamik është të përfundojë vitin e ardhshëm. Mirëpo kompania e ka përfunduar më herët. Kur ke kapital atëherë më lehtë i grah punëve” ka thënë ai.

Ndërkaq drejtoresha e shkollës “Halil Alidema”, Drita Pira, ka deklaruar se nxënësit janë duke vijuar procesin mësimor në një objekt të vjetër shkollor dhe se kompania e cila është angazhuar në këtë projekt u ka kumtuar atyre se projekti do të përmbyllet vitin e ardhshëm.