Arbëri

Punëtorët teknikë të Kuvendit kërkojnë rritje pagash, por “u shuhet shpresa”

Punëtorët teknikë të Kuvendit kërkuan nëpërmjet protestës që pagat aktuale prej 275 eurosh t’u rriten në 450. Tek e paralajmëruan edhe ndërprerjen e punës po qe se kërkesa nuk u përmbushet, në kompaninë e kontraktuar thanë që nuk i kanë mundësitë për rritje, e kërkuan që zgjidhje për problemin të bëjë Kuvendi

Prej 15 vjetësh, Hanife Hyseni udhëton përditë nga Stanovci i Vushtrrisë për t’u paraqitur në vendin e saj të punës në Kuvend, si mirëmbajtëse higjienike. Rritja e çmimeve të transportit, të ushqimit e të të gjitha produkteve të konsumit e ka shtyrë atë që, bashkë me mbi 20 punëtorë të tjerë teknikë, të protestojë të martën para ndërtesës së Kuvendit me kërkesën për pagë më të lartë se 275 euro neto sa marrin nga kompania kontraktuese.

“Qe 15 vjet punoj këtu nuk është rritur rroga asnjëherë, dy herë brenda dy-tre jetëve është rritur vetëm nga 20 euro më shumë jo. Kurrgjë te shtëpia s’mundemi me dërgu”, ka thënë Hyseni.
Ankesë të njëjtë ka shprehur edhe përfaqësuesja e punëtorëve teknikë, Nazife Krasniqi.

“Ne punojnë që 20 vite këtu. Ne nuk po kërkojmë asgjë më shumë vetëm aq sa na takon neve me ligj. Neve operatori ekonomik nuk na është përgjigjur, nuk mundemi me punua më me 275 euro kur kemi me udhëtua dhe për ushqim nuk po na mjaftojnë”, ka deklaruar Krasniqi.

Nëpërmjet protestës, punëtorët paralajmëruan bojkotim të punës po qe se kompania “Schafberger” nuk ua rrit pagat në 450 euro.

“Mendojmë me ndërpre punën, se me 275 euro nuk mundemi me ia dalë”, ka shtuar Hanife Hyseni.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se e ka kontaktuar kompaninë rreth pakënaqësive porse nuk ka marrë përgjigje. Ai ka paralajmëruar se në rast se marrëveshja nuk arrihet, puna do të ndërpritet javën e ardhshme.  

“Ne i kemi shkruar pronarit të Kompanisë i kemi shpjeguar se ne për sot do të kemi një protestë paqësore si gjithmonë. Nëse nuk reflekton pronari i Kompanisë ne sigurisht nga java tjetër me vendimin e punëtoreve do t’i ndërpresim shërbimet tona”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se sipas kalkulimeve të Sindikatës, nuk ka kurrfarë proporcionaliteti të arsyeshëm mes fitimit të kompanisë dhe pagave të punëtorëve.

“Shuma të cilën Kuvendi ia përcjell kompanisë në muaj është 18 mijë euro. Shuma të cilën e marrin punëtorët është 6 mijë euro, që do të thotë tri herë më shumë merr buxhet pronari i kompanisë sipas llogarive që i kemi bërë. Pronari i kompanisë brenda një muaji të fitojë nga ne 9 mijë euro dhe ne të mos ta bëjmë së paku pagën tonë 450-500 euro? Kemi punuar si skllevër mjaftë dhe më nuk po mundemi t’ia dalim”, ka thënë ai. 

Për shërbime të pastrimit dhe mirëmbajtjes, Kuvendi ka lidhur kontratë të negociuar për 6 muaj me kompanisë Schafberger, me vlerë 65 mijë e 981. Vlera e pagesës mujore për kompaninë është 10.996 euro.

Në përgjigje për KOHËN, në këtë kompani e demantuan Azemin, teksa kanë thënë se përveç që nuk patën njoftim për protestë, nuk qëndron as deklarimi se kompania i merr 18 mijë euro në muaj nga Kuvendi.

“Ne si kompani na vjen keq se si kreu i një organizate e cila është në mbrojtje të të drejtave të punëtoreve i manipulon punëtorët dhe u jep informata të gabuara duke shpifur për kompaninë nga e cila ata paguhen dhe jep shifra të cilat nuk ekzistojnë dhe të cilat lehtë verifikohen”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.

Sipas përgjigjes së ofruar, punëtorët, para nënshkrimit të kontratës, kanë qenë të informuar se nuk do të kenë rritje page dhe pavarësisht kësaj kanë pranuar ta vazhdojnë punën.

“Vazhdimisht kemi shprehur pakënaqësinë tonë në lidhje me buxhetin e ndarë për këto shërbime, por ende nuk është marrë ndonjë hap që përmirëson gjendjen në këtë sektor. Neve na mbetet vetëm shpresa që Kuvendi i Kosovës do të mund ta rishikojë këtë kontratë dhe nëse ka mundësi ligjore, ajo rritje do t’u dedikohet pagave të punëtorëve. Përndryshe, për këto 5 muaj sa kanë mbetur nga kjo kontratë hapësira buxhetore është zero për ngritje të pagave”, thuhet tutje në përgjigje.

E në Kuvend nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS mbi mundësitë për t’i adresuar kërkesat e punëtorëve. 

Me kontratë të shërbimeve të mirëmbajtjes, janë gjithsej 24 punëtorë teknikë që paguhen 300 euro bruto në muaj.