Arbëri

Punëtorët teknikë në Gjilan në grevë, kërkojnë rritje të pagave

Një pjesë e madhe e punëtorëve teknikë të shkollave dhe të disa shtëpive të shëndetit në Gjilan kanë hyrë në grevë që nga e hëna, me kërkesën për rritje të pagës. Këta punonjës shërbimet e tyre i ofrojnë nëpërmjet ndërmarrjes publike “Tregu”, e cila është e kontraktuar nga Komuna. E pushteti dhe opozita kanë fajësuar njëri-tjetrin për mosrritje të pagave

Afro 300 punëtorë të ndërmarrjes publike lokale “Tregu” në Gjilan kanë hyrë në grevë që nga e hëna, me kërkesën për paga më të larta dhe për përmirësim të kushteve të punës.

Nexhat Veseli, përfaqësues i punonjësve të ndërmarrjes, i cili krahas menaxhimit të tregut i ofron shërbime edhe Komunës në mirëmbajtjen e hapësirave publike, të rrugëve, disa shkollave dhe shtëpive të shëndetit, ka thënë të mërkurën se punonjësit ndihen të diskriminuar karshi punëtorëve teknikë që janë të kontraktuar drejtpërdrejt nga Komuna. 

Sipas tij, punëtorët e kontraktuar nga Komuna marrin 90 euro më shumë pagë mujore sesa ata.

“Kjo ka të bëjë me barazi. Për shkak se punëtorët e DKA-së që janë të punësuar nëpër shkolla dhe nëpër institucione të tjera marrin pagë më të majme sesa punëtorët teknikë që janë në kuadër të NPL ‘Tregu’. Edhe kryetarit ia kemi ngritur këto shqetësime”, ka theksuar ai.

Lidhur me rastin e tyre, pushteti dhe opozita në Komunën e Gjilanit e kanë fajësuar njëri-tjetrin për moszgjidhje të problemit.

Besart Selimi, zëdhënës i Komunës së Gjilanit, ka thënë se rritja e pagave për punëtorët e ndërmarrjes “Tregu” është duke u bllokuar nga opozita.

“Ne nuk jemi kundër ngritjes së pagave të tyre. Por për shkak të moskalimit të bartjes së buxhetit në Kuvend Komunal, e kemi të pamundur ta bëjmë rritjen e pagave. Nesër është seanca e Kuvendit Komunal, vazhdimi i seancës së katërt dhe pestë, kështu që e ftoj opozitën ta votojë buxhetin, për shkak se ata janë bllokuesit kryesorë për mosngritjen e pagesave”, ka thënë Selimi. 

Por në opozitë kanë thënë se zgjidhja e problemit është rezultat i mungesës së vullnetit nga kryetari, Alban Hyseni. 

Avdyl Aliu, shefi i asamblistëve të Lidhjes Demokratike (LDK), ka theksuar se pagat për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje mund të rriten me nënshkrimin e një aneks-kontrate nga kryetari Hyseni, pasi që një të tillë e ka nënshkruar në prill.

“Veç duhet t’i thërras një ditë, sikurse në prill që i ka thirrur. Sepse kur e ka nënshkruar aneks-kontratën në muajin prill që i ka rritur shërbimet e tregut, ka dalë dhe është krekosur nëpër media të informimit, ka thënë ‘unë ua rrita pagat punëtorëve të ‘Tregut’. Shumë thjesht, edhe tash le të dalë dhe le t’ua rrisë pagat. Veç ka për ta thirrur ‘Tregun’ dhe ta nënshkruajë një aneks-kontratë për rritje të shërbimeve dhe me kaq mbaron puna”, ka theksuar Aliu.

Paga mujore e punëtorëve të ndërmarrjes “Tregu” është 330 euro, e kërkesat e tyre janë që ajo të bëhet 420 euro.