Arbëri

Punëtorët teknikë kërkojnë shtesa prej 100 eurosh, nga e hëna protestë dyorëshe

Për mjekët 250 euro, infermierët 150 e stafin mbështetës në institucione shëndetësore nga 100 euro ndau Qeveria në formë shtesash javën e kaluar.

Por jashtë këtyre pagesave kanë mbetur punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik që punojnë në institucione shëndetësore të Kosovës, që të pakënaqur me situatën thonë se meritojnë shtesa në lartësi prej 100 eurosh, sikur stafi mbështetës.

Merita Krasniqi, punëtore higjiene në QKMF në Pejë, e sheh të paarsyeshme që këta punëtorë të mos paguhen nga Qeveria, duke qenë se asnjëherë nuk e kanë ndalur punën.

“Kërkesa është që të paguhemi edhe ne sikur mjeku sikur motra se edhe ne punojmë aty ku punon mjeku e motra dhe jemi të rrezikuem sepse shpricat e pacientëve me covid ne i pastrojmë, pështymën e tyre ne e largojmë…”, thotë Krasniqi.

Adem Borovci, që punon si sigurim fizik për 21 vjet, e konsideron diskriminues veprimin e Qeverisë.

“Një është e sigurt që në atë objekt ku punojnë mjekët e infermierët punojmë edhe ne, dhe nuk e dimë me çfarë të drejte na kanë hjek prej pagesës...”, thotë Borovci.

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat ka kërkuar sqarime në Ministrinë e Shëndetësisë se çfarë nënkupton termi staf mbështetës, e në përgjigjen e kthyer, sipas tyre, kjo përfshin të gjithë të punësuarit në institucione publike shëndetësore, e që nuk hyjnë në kategori të profesionistëve shëndetësorë.

“Kemi edhe njoftim me shkrim që kjo kategori e punëtorëve do të paguhet por në fund e kemi një mesazh të ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj që kjo kategori nuk do të paguhet ku me të vërtet për ne është tepër qesharake se si të paguhet një infermier e mos të paguhet një pastrues që bënë pastrimin e po të njëjtit ambient”, thot kryetari i Sindikatës, Jusuf Azemi.

Këto pakënaqësi kanë çuar në organizimin e protestave nga e hëna, e që do të përshkallëzohen në mes të dhjetorit nëse kërkesat nuk merren parasysh, derisa kanë shprehur keqardhjen për pacientët në këtë periudhë, por konsiderojnë se meritojnë përkrahje nga shteti.