Arbëri

Punëtorët “në të zezë” - problem që nuk po zgjidhet

Ilustrim

Ilustrim

Luftimi i informalitetit mbetet ende sfidë për shtetin e Kosovës. Sipas një raporti të publikuar nga Instituti GAP, del që në disa komuna numri i bizneseve është gati i përafërt me atë të punëtorëve. Ilir Murtezaj, drejtor i ATK-së, ka shfaqur nevojën e shtimit të inspektorëve, kurse ekonomistët kanë thënë se mosdeklarimi i punëtorëve e dëmton Kosovën ekonomikisht

Numri i të papunëve në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është mbi 120 mijë, por kjo mund të mos jetë shifër e saktë, sepse shpeshherë bizneset nuk i deklarojnë në mënyrë zyrtare punëtorët e tyre, duke mos i pajisur ata me kontrata të punës.

Sipas një raporti të publikuar nga Instituti GAP, ekzistojnë disa komuna ku numri i bizneseve është i përafërt me atë të të punësuarve.

Një e tillë është Komuna e Shtimes.

Në raportin e GAP-it thuhet se në Komunën e Shtimes ekzistojnë 1133 biznese aktive, kurse të punësuar janë 1700 persona, që i bie se ekzistojnë më pak se 2 punëtorë për një biznes. Nga kjo Komunë janë 5,246 kontributpagues në Trustin e Kursimeve Pensionale.

Sipas ekspertit të ekonomisë Safet Gërxhaliu, këto shifra ku numri i bizneseve është i përafërt me atë të punëtorëve flasin për informalitet të punëtorëve në sektorin privat e që sipas tij e dëmtojnë në masë të madhe ekonominë e vendit dhe po ashtu shkelen të drejtat e punëtorëve.

"Kemi komuna ku vërtet në qoftë se bëhet një analizë më e thukët mes numrit të bizneseve dhe atyre që punojnë është një diskrepancë totale ku ndoshta në momente të caktuara më shumë ka biznese të regjistruara sesa të punësuar. Pra, besoj që është koha kur duhet t'u shpallet luftë këtyre dukurive negative, një dukuri e cila e dëmton Kosovën ekonomikisht, e varfëron në aspektin social, por mbi të gjitha e dëmton imazhin e saj për të tërhequr investitorë të huaj", ka thënë Gërxhaliu për KOHËN.

Për këtë çështje ka folur edhe drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, i cili ka thënë se nuk ka asnjë qytet ku numri i bizneseve është më i madh se i punëtorëve, por ekzistojnë biznese të vogla në të cilat pronarët e tyre vetëpunësohen dhe se nuk marrin punëtorë të tjerë. Ai më tej ka theksuar nevojën e shtimit të numrit të inspektorëve për ta luftuar dukurinë e shmangies tatimore dhe ka treguar se për këtë çështje janë në komunikim me Ministrinë e Financave.

“Ne në komunikim edhe me Ministrinë e Financave, me ministrin, gjegjësisht jemi dakorduar në të ardhmen të shtohet edhe numri i inspektorëve, formalisht si fazë fillestare me aprovim të ministrit të Financave këto ditë pritet që të kemi një rekrutim të diku 200 praktikantëve të rinj të cilët do ta luajnë rolin e inspektorëve në terren”, ka thënë Murtezaj.

Shtimi i numrit të inspektorëve për ta luftuar informalitetin ka qenë edhe premtim i Qeverisë aktuale. KOHA ka provuar të kontaktojnë me Ministrinë e Financave në lidhje me strategjitë e tyre si ministri për ta luftuar shmangien tatimore, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.