Arbëri

Punëtorët në grevë, KRM “Pastërtia” në Ferizaj kontrakton kompani private për pastrim

Menaxhmenti i KRM “Pastërtia” në Ferizaj ka kontraktuar kompani private për pastrimin e mbeturinave në qytet, pasi punëtorët e kompanisë prej disa ditësh kanë hyrë në grevë dhe po kërkojnë rritje të pagave.

Kompania private ka nisur punën menjëherë të martën.

Lulëzim Aliu, nënkryetar i Komunës së Ferizajt, ka thënë se komuna ka marrëveshje vetëm me KRM “Pastërtia”, por se ajo është kompetente për t’u marrë vesh me kompani private në raste të caktuara si ky.

“Për shkak të rrezikimit të shëndetit publik komuna i ka dhënë afat njëditor kompanisë për të rifilluar përmbushjen e marrëveshjes. Si pasojë, pasi punëtorët janë në grevë, KRM ‘Pastërtia’ është marrë vesh me kompanitë private që operojnë në Ferizaj të cilat veçse kanë filluar punën që nga mbrëmë”, ka thënë ai.

Aliu ka treguar se ka takuar përfaqësuesit e grevistëve dhe kryeshefin për të parë mundësitë e ndërprerjes së grevës. Ai u ka bërë thirrje punëtorëve që ta ndërpresin grevën.

“Kërkoj edhe nga punëtorët tjerë, që janë në grevë e që nuk i kam takuar, që të ndërprenë grevën dhe të vazhdojmë bisedimet. Edhe për punëtorët e KRM ‘Pastërtia’ sikur edhe për policinë, FSK-në, punëtorët e shëndetësisë etj, është e ndaluar me ligj mbajtja e grevave afatgjate. Komuna nuk mund të rri indiferente ndaj situatës së krijuar prandaj ka marrë masat me kohë që, si pasojë e mosmbledhjes së mbeturinave, të mos shpërthejë ndonjë epidemi e të bëhet rrezikimi i shëndetit publik”, ka thënë më tej Aliu.

{gallery}