Arbëri

Punëtorët e RTK-së kërkojnë që mediumit publik t’i kthehet buxheti në vlerë 2.2 milionë euro

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së i ka shkruar një letër Kuvendit të Kosovës, nëpërmjet të cilës ka kërkuar rikthimin e buxhetit në vlerë 2.2 milionë euro për mediumin publik.

“Mungesa e këtyre mjeteve ka shkaktuar dëme të pariparueshme në programin e RTK-së”, thuhet në letrën drejtuar Kuvendit. “Ju kërkojmë që me rishikimin e buxhetit t’i ktheni paratë që i takojnë me ligj RTK-së”.

Sindikata ka paralajmëruar se do t’i drejtohet gjykatave për mënyrën se si Qeveria e Kuvendi i kanë hequr 2.2 milionë euro nga buxheti i RTK-së.

“Sindikata do të shfrytëzojë të gjitha rrugët ligjore për kthimin e këtyre mjeteve në buxhetin e RTK-së. Nëse kjo kërkesë jona nuk realizohet, do të fillojmë me protesta para Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.