Arbëri

Punëtorët e Postës druajnë se do ta pësojnë nga kriza e Telekomit

Bllokimi i llogarive të Telekomit që nga fundi i shkurtit të këtij viti, sipas përfaqësuesve sindikalë, mund të ketë implikim edhe në Postën e Kosovës. Punëtorët e Telekomit nuk i kanë marrë pagat e muajit mars e llogaritë nuk i janë zhbllokuar ende. Kryetari i Federatës Sindikale të këtyre dy kompanive shpreh brengën që pa paga mund të mbesin edhe punëtorët e Postës, për shkak se rreth gjysma e të hyrave të kësaj kompanie sigurohet nga Telekomi.

Pos 1.700 punëtorëve të Telekomit që janë pa paga qe 2 muaj, edhe 1.100 punonjës të Postës druajnë se do të përballen me një problem të njëjtë. 

Që nga fundi i shkurtit të këtij viti llogaritë bankare të Telekomit janë bllokuar nga përmbaruesi, pas një vendimi të Gjykatës Themelore në Komerciale, që obligoi këtë ndërmarrje publike t’ia paguante rreth 5 milionë euro kompanisë “Z-mobile” në formë dëmshpërblimi. 

Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Telekomit dhe Postës, Lamih Balaj, alarmoi për mundësinë e zgjerimit të krizës përtej ndërmarrjes së telefonisë.

“Punëtorët e Postës i kanë marrë pagat fatmirësisht për muajin e kaluar. Ne nuk i kemi marrë, sepse ju e dini që nga data 29.2 janë të bllokuara llogaritë. Sigurisht ne operojmë bashkë me Postën, paguajmë qira për Postën, shet për neve produktet e ‘Valës’  dhe sigurisht që në momentin që ti nuk mund t’ia paguash qiranë, nuk mund t’ia japësh pjesën e fitimit gjatë shitjes, sigurisht që edhe ata janë të rrezikuar për muajt e ardhshëm”, tha Balaj.

Telekomi dhe Posta kanë ndërlidhje me njëra-tjetrën, e cila buron që nga koha kur kanë qenë një kompani e vetme. 

Telekomi shfrytëzon objektet e Postës për të cilat paguan qira mujore rreth 350 mijë euro, e edhe rreth 110 mijë euro të tjera në muaj për një numër shërbimesh.

Në Telekom treguan se prejse u janë bllokuar llogaritë, rreth një milion euro është borxhi i akumuluar ndaj Postës.

“Pasi kemi mbetur prapa dy muaj pa paguar për shkak të bllokimit të llogarive, borxhi i akumuluar është rreth 900,000.00€... Në bazë të kalkulimeve mujore, shuma vjetore që Telekomi ia paguan Postës brenda vitit për të gjitha të cekurat më lart sillet rreth 5.5 milionë €”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

Zyrtarë të Postës nuk pranuan të flisnin për implikimet që ka në këtë ndërmarrje bllokimi i llogarive të Telekomit. Nuk iu përgjigjën as pyetjeve të shkruara, ndonëse të hënën premtuan se ato do t’ia përcillnin gjatë ditës.

Bazuar në raportin vjetor të Postës, që i referohet vitit 2023, rreth gjysmën e të hyrave e siguron nga Telekomi.

“Posta e Kosovës me Planin e Biznesit të aprovuar nga Bordi i Drejtorëve, gjatë vitit fiskal 2023 ka planifikuar gjithsej 10.761.000 euro të hyra”, thuhet në raportin vjetor të Postës së Kosovës.

Telekomit i janë mbyllur llogaritë, ndonëse rasti nuk ka marrë epilog kontesti gjyqësor me kompaninë “Z-mobile”. Gjykata e Apelit ka angazhuar tre ekspertë për të kalkuluar dëmin që kompanitë mund t’ia kenë shkaktuar njëra-tjetrës, pasi që të dyja pretendojnë se janë të dëmtuara nga disa marrëveshje të nënshkruara pas caktimit të një borxhi nga arbitrazhi ndërkombëtar.