Situata me mbeturina në qytetin Ferizajt po vazhdon të rëndohet. Punonjësit e kompanisë “Pastërtia” të hënën protestuan në kohën kur në Kuvendin Komunal po debatohej për këtë çështje. Në një moment, disa nga protestuesit u futën me forcë në sallë. Nga kompania thonë se nuk kanë mundësi t’i rrisin pagat pasi janë në limite.
Mbledhja e Kuvendit Komunal në Ferizaj të hënën nisi me akuza ndërmjet pushtetit e opozitës, derisa po debatohej për gjendjen e kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastërtia”, punëtorët e së cilës prej 8 ditësh janë në grevë.
Teksa po mbahej mbledhja, shumë nga 280 punëtorët e kësaj kompanie mbajtën protestë para objektit të Komunës, ndërkohë situata u tensionua kur disa punonjës u futën në sallë me forcë.
Opozita kërkoi që Komuna të ndajë 100 mijë euro subvencion për kompaninë.
“I mbështesim plotësisht kërkesat e punëtorëve dhe nëse do të duhej që ky kuvend ta subvencionoi ndërmarrjen “Pastërtia” por këto mjete të shkojnë për punëtorët fizik dhe jo për ata të administratës që fare nuk shkojnë në punë, bile ka prej atyre që i mbajnë nga 3 vende të punës dhe nuk e di se mund të jenë efektiv në 3 vende të punës”, tha asamblisti i LVV-së Amir Rexhepi.
Ndërsa asamblisti i LDK-së Flamur Istrefi, theksoi se injorimi që pushteti dhe menaxhmenti u kanë bërë punëtorëve i kanë shtyrë ata të protestojnë.
“Sot kur po e diskutojmë këtë raport, gjendja në këtë kompani është edhe më e rëndë për shkak të keqmenaxhimit u bënë një javë që punëtorët janë në grevë dhe po kërkojnë të drejtat e tyre. Kushtet e vështira të punës, pagat e vogla, mos pagesa e trustit prej 28 muajve si dhe injorimi i vazhdueshëm që po bëhet nga zyrtarët e kompanisë nga ky pushtet ka bërë që punëtorët të protestojnë dhe si pasojë e kësaj qyteti është kthyer në një depiloni të mbeturinave duke u rrezikuar edhe shëndeti i qytetarëve tanë””, tha ai.
Punëtorët e KRM “Pastërtia” thanë se nuk do ta ndalin grevën deri në plotësimin e kushteve të tyre, që janë rritja e pagave dhe pagesa e Trustit.
“Ne nuk do të tërhiqemi nga kërkesat tona dhe nga sot nëse nuk plotësohen kërkesat tona atëherë ne do të hyjmë edhe në grevë urie”, theksoi kryetari i sindikatës Mexhid Ramusa.
Drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Ferizajt, Arben Halili, tha se përgjegjësi për rritjen e pagave ka menaxhmenti i kompanisë, e jo Komuna.
“Ne kemi kërkuar nga bordi dhe menaxhmenti që urgjentisht në mblidhen së bashku me punëtor dhe të diskutojnë dhe të marrin vendime të shpejta për shkak të mos rrezikimit të shëndetit publik të qytetarëve dhe të sigurisë së qytetarëve”, tha Halili.
E drejtori i KRM “Pastërtia” Basri Syla, u shpreh se janë kontraktuar dy kompani private për pastrimin e mbeturinave në qendër të qytetit, derisa punëtorët ta kuptojnë krizën financiare brenda kompanisë.
“Pagat të rriten nuk ka kapacitete financiare kompania për momentin sepse është në limitin e fundit të të hyrave dhe shpërndarjes së tyre. Ndërkaq, trusti është duke u paguar sepse kësti është prej 24 muajve sipas marrëveshjeve shegati janë bërë 200 mijë euro pagesa deri më sot dhe nga qershori është duke u paguar trusti dhe borxhi i vjetër”, theksoi Syla.
Shkaku i grevës, qyteti i Ferizajt është mbushur me mbeturina.