Mbi 200 punëtorë të kompanisë rajonale për mbeturina “Pastërtia” në Ferizaj protestuan sot para institucioneve publike, duke kërkuar rritjen e pagave dhe pagesën e kontributeve për pensione. Ata prej ditësh kanë hyrë në grevë, duke e rënduar gjendjen me mbeturina në qytet. E në Komunën e Ferizajt thanë se për të mos e rrezikuar shëndetin e qytetarëve, do të detyrohen që së shpejti të kontraktojnë një kompani tjetër për menaxhimin e mbeturinave
Rritjen e pagave për 50 euro dhe pagesën e obligimeve pensionale e kanë kërkuar të martën me anë të një proteste rreth 280 punonjës të kompanisë rajonale për mbeturina, “Pastërtia”, në Ferizaj.
Protesta e pasoi grevën e nisur të punonjësve të kësaj kompanie, që e ka rënduar gjendjen me mbeturina në qytet.
Mexhid Ramusa, kryetar i Sindikatës së punëtorëve, theksoi se paga e punonjësve është 350 dhe se kontributet pensionale atyre nuk u janë paguar prej 28 muajsh. Krahas kësaj, është dorëzuar në prokurori edhe një kallëzim penal për shkeljet që pretendohet se janë bërë brenda kompanisë, përfshirë punësimet e jashtëligjshme të familjarëve dhe të militantëve partiakë.
“Arsyeja e protestës është që trusti nuk u është paguar prej më shumë se 28 muajsh. Kjo dihet qartë se kompania është mbingarkuar financiarisht duke punësuar militantë dhe paratë e trustit ua japin militantëve. Ne e dimë se mbi 50 persona janë punësuar në administratë brenda një periudhe të shkurtër. Ne kërkojmë të drejtat tona, rritjen e pagave ashtu siç kanë dhënë premtime në grevën e kaluar. As nuk është politike”, tha Ramusa.
E në Lipjan, drejtori i kompanisë “Pastrimi”, Xhelal Krasniqi, bëri të ditur se paga e punëtorëve në terren sillet rreth 450 euro.
“Punëtorët e kanë pagën bazë 400 euro, plus shujtën ditore e kanë 2.5 euro, që i bie rreth 50 euro në muaj për ushqim. Pra, diku 450 euro, por shumicën e kohës kanë punë jashtë orarit që iu paguhet sipas ligjit në fuqi”, tha Krasniqi.
Basri Syla, drejtor i “Pastërtia” në Ferizaj, gjatë së martës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me kërkesat e shprehura nga punonjësit.
E drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Ferizajt, Arben Halili, tha se shkaku i grevës së punëtorëve gjendja me mbeturina në qytet është alarmante dhe se po shqyrtohet mundësia e kontraktimit të ndonjë kompanie tjetër për pastrim.
“Sipas ligjit kemi të drejtën të kontraktojmë kompani publike, sepse na obligon ligji dhe nuk mund të lejojmë që për interesa të ndryshme brenda kompanisë të rrezikohet shëndeti publik i qytetarëve”, tha Halili.
E protestuesit paralajmëruan se greva do të vazhdojë krejt deri në shqyrtimin e kërkesave të shprehura.