Bashkim Latifi nga Sindikata e Punëtorëve të Aeroportit “Adem Jashari” është shprehur i bindur që do ta fitojnë rastin në Gjykatën Kushtetuese.
Latifi të enjten ka dorëzuar në Kushtetuese rastin për largimin e afro 100 punëtorëve nga Aeroporti. Ai pretendon se largimi i tyre është bërë veç me një njoftim dhe se kjo përbën shkelje ligjore. Të gjithë punëtorët e larguar, sipas tij, janë pjesë e Sindikatës.
Sipas Latifit, punëtorët u larguan nga puna në shenjë hakmarrjeje për shkak se morën pjesë në grevën e vitit 2019 – ndërsa ka pasur kritika për Gjykatën e Apelit dhe atë Supreme, që kanë vendosur në favor të punëdhënësit, pra “Limakut” që udhëheq Aeroportin “Adem Jashari”.
“Vetëm e vetëm pse kanë qenë pjesëmarrës në grevat e vitit 2019 janë larguar nga puna. Ne jemi kategori kushtetuese dhe ligji na mbron për veprimet sindikale. Sanksionimi për veprimet sindikale është i ndaluar dhe i ndëshkuar me ligj. Kushtetuesja është organi më i besueshëm i drejtësisë, i cili nuk do ta trajtojë sipërfaqësisht rastin sikur Apeli dhe Supremja. Jemi shumë të bindur se do të ketë vendim pozitiv. Këta punëtorë janë larguar pasi kanë marrë pjesë në greva që i kemi organizuar ne”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Latifi hedh dyshime se “Limaku” ka pasur ndikim në vendimet e Apelit. Dhe tregon se ku i ka bazuar dyshimet për këtë.
“Rasti ka filluar prej Gjykatës Themelore në Lipjan, dhe të gjitha vendimet e kësaj gjykate janë pozitive dhe të drejta. Me ankimimin e punëdhënësit në Apel, aty ka filluar devijimi i drejtësisë. Për ne, dyshojmë se po [ka ndikuar Limaku]. Dhe ja ku e bazojmë këtë - dy punëtorë të të njëjtit rastit, me emër të ndryshëm dhe gjykatësit në Apel ndryshe, për njërin ka vendosur pozitivisht dhe largimi nga puna është diskriminues, ndërsa për tjetrin, e njëjta Gjykatë e Apelit, ka vendosur negativisht. Ky është ai fillimi i dyshimit. Ne dyshojmë se kjo Gjykatë nuk ka vendosur drejt dhe e kemi humbur besimin”, ka thënë ai.
Fjalë të ngjashme ka edhe për Gjykatën Supremen.
“Supremja ia ka aprovuar vendimin e Apelit. Për këto raste të njëjta, Supremja në vitin 2014 (largimi i punës me një njoftim), i ka vendosur në favor të punëtorit. Dhe për rastin tonë, ka vendosur pozitivisht për Limakun”, ka thënë Latifi.
Sipas tij, ata në tetor të vitit 2022 kanë pasur takim me ministrin e Financave, Hekuran Murati, i cili u ka premtuar se do ta marrë rastin përsipër. Por, siç thotë Latifi, nuk ka pasur ndonjë lëvizje në këtë drejtim.