Pakënaqësi ndaj KOSTT-it kanë shprehur punonjësit e kompanisë. Ata protestuan të hënën për rritjen e përshkallëzuar të pagave, nga 3 deri në 15 për qind. Sipas tyre, nga kjo përfitojnë më së shumti pozitat menaxheriale. Ata i dhanë afat Bordit deri më 10 shkurt të anulojë këtë vendim dhe kërkuan që rritja të jetë e njëjtë për të gjitha pozitat jomenaxheriale – 20 për qind
Punëtorët e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut kanë protestuar të hënën në Prishtinë, ku kanë shprehur pakënaqësinë për rritjen e përshkallëzuar të pagave.
Sipas tyre, rritja është nga 3 deri në 15 për qind, gjë që është vlerësuar diskriminim.
Ata kërkuan që rritja e pagave për pozitat jomenaxheriale të jetë 20 për qind.
“Mas pari jemi me paga kurrqysh hiç, na kanë lon shumë ulët, janë bërë rritjet dikujt 100, dikujt 30, qysh kanë dashtë, kjo ka shku mes njerëzve. Kërkesat e mija janë që mos të ketë diskriminim”, theksoi Hase Sadiku.
Punëtori Arsim Shala tha se kanë kërkuar që të bëhet një nivelizim i pagave. “Të paktën kjo rritje që është bërë për ne për 9% nuk është rritje, për dikë 15%, për dikë 8% do të thotë nuk është rritje normale”.
Protestuesit thanë se ka 10 vjet që nuk pati lëvizje në paga.
E Arben Pllana, kryetar i Sindikatës së KOSTT-it, kërkoi anulimin e rritjes së përshkallëzuar.
“Kërkojmë reflektimin nga kryeshefi dhe Bordi para ekzekutimit të pagave të janarit 2024. Në i ofrojmë një kohëzgjatje të reflektojnë deri më 10 shkurt, për arsye se nëse nuk merren parasysh kërkesat tona, nuk anulohet atëherë ne do të veprojmë në baza të statusit të sindikatave dhe të ligjit për veprime sindikale”, theksoi Pllana.
Përfaqësues i Sindikatës në KOSTT Seladin Ismaku, ka theksuar se u është prezantuar nga kryeshefi ekzekutiv një rritje e përshkallëzuar prej 15% deri në 3% e aprovuar. “Një punëtori të KOSTT-it me rritje page 38 euro, ndërsa menaxhmentit të lartë rreth 100 euro. Që në vend se të ulet pabarazia ajo vetëm është rritur”, tha ai.
Përveç rritjes së barabartë të pagave, punëtorët e KOSTT-it kërkuan edhe që orët shtesë të punës të paguhen si jashtë orarit, e jo si të kompensuara.