Ka nisur protesta e thirrur nga kryesia e sindikatave të punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Punëtorët e KEK-ut janë duke kërkuar rritje të pagave.
Protesta me moton "Ngrite zërin për ta ngritur pagën", po mbahet në Prishtinë.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, në fjalën e mbajtur në këtë protestë, ka thënë se Bordi i KEK-ut u ka premtuar se në prill do të shikojnë pasqyrat financiar dhe do të shqyrtojnë kërkesat e punëtorëve për rritje të pagave.
Por sipas tij një gjë e tillë nuk është bërë dhe Bordi më këtë i ka gënjyer punëtorët.
“Përkundër fitimit që e ka pasur ndërmarrja, punëtorëve nuk u janë rritur pagat e as nuk është rritur pagesa për shujtë”, ka theksuar Llumnica.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut, Avni Grajqevci, ka thënë se pas gjendjes me greva dhe protesta i kishin prolonguar kërkesat e tyre. Por përkundër kësaj, ai ka theksuar se nuk ka pasur mirëkuptim nga Bordi dhe nuk u janë rritur paga.
Ndërsa Ali Gashi nga BSPK-ja ka thënë se në kohën kur bota ishe në krizë punëtorët e KEK-ut nuk kanë lënë në terr. Sipas tij ndoshta dikujt në Qeveri i ka interesuar dështimi i KEK-ut, por se kjo nuk ka ndodhur.
Protesta e cila ka zgjatur rreth një orë, ka përfunduar e qetë dhe protestuesit janë shpërndarë.
Sindikalistët kanë paralajmëruar se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, herën tjetër nuk do të jenë të qetë
{gallery}