Arbëri

Punëtorët e ish-ndërmarrjes “UTVA” ende s’i kanë marrë pagat, ankohen për zvarritje të padisë që ushtruan

Valdet Nikçi ka punuar në fabrikën për konstruksione metalike "UTVA" në Pejë, e cila ka funksionuar si ndërmarrje shoqërore.

Por, Nikçi thotë se ndërmarrja në të cilën i kaloi mbi 15 vjet të jetës së tij u ka mbetur borxh nga 5 mijë euro atij dhe 70 punëtorëve të tjerë për pagat që nuk i kanë marrë nga qershori i vitit 1995 deri në mars të 1999-s kur kishin ndërprerë punën, raporton KOHA.

Në emër të punëtorëve, Nikçi në vitin 1997 kishte ngritur padi për kompensimin e pagave, por ai ankohet se lënda po vazhdon të zvarritet nëpër gjykatat e Kosovës.

Fillimisht, Gjykata Komunale kishte vendosur në favor të punëtorëve, kurse më pas Gjykata e Apelit në Prishtinë kishte refuzuar ankesën e punëtorëve.

Nikçi i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila, sipas tij, kishte gjetur shkelje, ku më pas Apeli, siç thotë ai, kishte aprovuar ankesën e punëtorëve, të cilën më parë e kishte refuzuar.

Ish-punëtori tjetër i ndërmarrjes, Musli Ukshinaj, kërkon që sa më parë paratë t'u shpërndahen punëtorëve.

Lënda gjendet aktualisht në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme, e cila pritet të vendosë nëse shqyrtimi i lëndës është kompetencë e saj apo e Gjykatës së Pejës.

Supremja, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se lënda është duke u trajtuar, por nuk ka treguar se pse akoma nuk është marrë ndonjë vendim.