Arbëri

Punësimi e mirëqenia sociale, sfidat kryesore të komuniteteve joshumicë në Prizren

Pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në Prizren i shpalosën para deputetëve sfidat me të cilat thanë se përballen. Ata i numëruan punësimin dhe mirëqenien sociale si brengat kryesore. E këshilla që e morën nga deputetët e Kuvendit të Kosovës ishte që të jenë më të zëshëm në adresimin e të drejtave të tyre kushtetuese

Punësimi e mirëqenia sociale janë sfidat kryesore me të cilat përballen komunitetet joshumicë në Prizren, e që të martën iu numëruan disa prej deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjatë një diskutimi.

Përfaqësues të komuniteteve rom, ashkali e egjiptian thanë në diskutimin, në Kuvendin Komunal të Prizrenit se në raste të caktuara ballafaqohen edhe me diskriminim.

Sejnur Veshall, aktivist rom, vlerësoi se Kosova ka një Qeveri të majtë që nuk ka politika të majta për komunitetin rom, i cili jeton në vështirësi ekonomike e sociale.

“Problemi kryesor i komunitetit mbetet ende punësimi dhe mirëqenia sociale, mbetet qe 22 vjet infrastruktura. Cila është mënyra që ne duhet me ju tregu këto institucioneve relevante?” – tha Veshall.

E aktivisti Osman Osmani tha se megjithëse institucionet përgatitën strategji e politika publike për përmirësimin e pozitës së këtij komuniteti, ato nuk kanë ndarë fonde të mjaftueshme për zbatimin e tyre.

që sado kudo ju do të bëni trysni karshi Qeverisë që vërtet këto dokumente si në nivel qendror, por edhe në nivel lokal, në rend të parë të buxhetohen. Edhe pse janë paraparë linjat buxhetore, por ndarja e mjeteve për realizimin e këtyre politikave janë shumë-shumë të ulëta”, tha Osmani.

Deputeti Fridon Lala theksoi se zgjidhja e këtyre problemeve kërkon përkushtimin më të madh të shumicës dhe institucioneve përgjegjëse.

“Zgjidhja e problemeve fillon atëherë kur problemet e komuniteteve trajtohen në masë më të madhe për shkak se qytetarët e komuniteteve apo grupeve të vogla etnike po ashtu janë pjesë e Kosovës dhe përfaqësuesit e institucioneve duhet t’i trajtojnë njëjtë dhe barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë”, tha Lala.

E deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, kërkoi që pjesëtarët e komuniteteve joshumicë dhe përfaqësuesit e tyre duhet të jenë më të zëshëm në adresimin e sfidave.

“Unë ju kam thënë se me pas qenë përfaqësuese e komuniteteve të juaja e kisha çuar peshë parlamentin, sepse vërtet e di që keni jashtëzakonisht nevoja të mëdha për me e ngrit zërin”, tha Musliu.

Gjatë debatit u shpreh edhe vërejtja për mungesën e përkthimit të dokumenteve në gjuhën turke. Debati i deputetëve me qytetarët e Prizrenit është realizuar në kuadër të aktivitetit “Ditët e Kuvendit”, me iniciativën e Forumit për Transparencë Parlamentare dhe me përkrahjen e Institutit Kombëtar Demokratik.