Njohësi politik, Shqiprim Pula, ka thënë se presidentja Vjosa Osmani ka gabuar kur e ka refuzuar në takim nënkryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetarin e Parlamentit, Glauk Konjufca, teksa i ftoi në takim partitë politike në vend.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Pula ka thënë se Osmani me këtë veprim nuk është bazuar në ligj.
Sipas tij, ligji e përcakton që ftesa t’u dërgohet partive politike dhe jo ekskluzivisht kryetarëve të tyre.
“Ka një pezëm që është shpërfaqur dje dhe sot nga disa akterë politikë, çështja ka të bëjë me refuzimin e pjesëmarrjes të Glauk Konjufcës si nënkryetar i Vetëvendosjes në takimin që ishte dje. Nëse shikohet dhe lexohet drejt dhe saktë gjuha e ligjit, në ligj thuhet se presidentja fton partitë politike për konsultim. Gjuha e ligjit nuk e përcakton ekskluzivisht kryetarin e partisë, por kur e ka dërguar ftesën dhe e ka përcaktuar që vetëm kryetari i partisë, në anën tjetër ka refuzuar nënkryetarin të marrë pjesë, këtu ka ndierë pezëm. Pra, gjuha e ligjit thotë partitë politike, nuk thotë kryetarët e partive dhe si rezultat i saj dje e sot e kemi krejt këtë pezëm”, ka deklaruar Pula.
Spahiu: Abdixhiku i bëri favor Kurtit, pasi vetë u distancua nga Rugova
Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka deklaruar se kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i ka kishte bërë favor kryeministrit Albin Kurti “duke u distancuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova”.
Ai ka thënë të enjten në emisionin “Konfront” të KTV-së se ardhja e Abdixhikut në krye të LDK-së ishte shans që ta kthente elektoratin e LDK-së.
“Ardhja e Lumirit në krye ka qenë shans ta kthejë elektoratin e LDK-së, por i bëri favor Kurtit pasi u distancua nga Rugova. Nëse elektorati i LDK-së ikën nga Kurti, ai kthehet në origjinë, e në këtë rast do të ndodhte sikur të mos kishim koalicion mes Listës ‘Guxo’ dhe Kurtit ose nëse flamurin e rugovizmit do ta merrte fuqishëm LDK-ja”, ka thënë Spahiu.
Sipas tij, elektorati i LDK-së ka votuar Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit pasi LDK-ja “tradhtoi vijën e Rugovës dhe e lanë me 12 për qind të votave”.
“Kur u kthye Lumiri, në vend që të mësonte nga kjo që e kishte perjtuar LDK-ja, ai nisi të bënte një parti si nga e para. Por, nga e para mund të ketë sukses në të ardhmen, por nuk funksionon në aspektin që ta kthejë elektoratin rugovist në LDK”, ka shtuar Spahiu.
Gjinovci: Presidenti s'duhet të merret me politika ditore, kjo është "sindroma e Hashim Thaçit"
Panelisti Rron Gjinovci ka thënë se roli i presidentit në Kosovë nuk është të merret me politika ditore.
Ai në “Konfront” të KTV-së ka thënë se presidenten Vjosa Osmani e ka prekur “sindroma e Hashim Thaçit” dhe nuk po arrin ta kuptojë rolin që e ka.
“Presidenti në Kosovë nuk është paraparë të merret me politika ditore. Kjo është pak ‘sindroma e Hashim Thaçit’. Këta njerëz s’po dinë me ndërtu as karrierën e vetë politike...Presidentja është mjaft e re me qenë presidente. Posti i presidentit unë e shoh si kulminacion të arritjeve politike, e pastaj duhet të merresh me diçka tjetër. Kur je në moshën që ka presidentja, është mosha fantastike për me bë punë të mëdha. Unë për vete e shoh rolin e presidentit si pensionim politik, pak para pensionimit. Definitivisht është turp të kthehesh ministër, deputet apo zëvendësministër. Kur nuk e bën llogarinë tënde për karrierën shumë mirë, atëherë ke problem me kry funksionin që je i thirrur. Presidentja nuk duhet të merret me politika ditore, e as me ju përzi ministres së Jashtme, e asnjë ministri tjetër, e aq më pak kryeministrit”, ka thënë Gjinovci, duke shtuar se presidentja nuk po e kupton rolin që ka.
Arsyeja e konfliktit institucional, sipas Spahiut: Osmani synon edhe një mandat si presidente
Analisti Nexhmedin Spahiu ka thënë se presidentja Vjosa Osmani po synon edhe një mandat si presidente.
Derisa ka folur për konfliktin institucional të enjten në “Konfront” të KTV-së, Spahiu ka thënë se nga “divorci” mes Osmanit dhe kryeministrit Albin Kurti, ky i fundit nuk humbet asgjë.
“Presidentja synon ta ketë edhe një mandat tjetër si presidente. Sigurisht dikush i ka thënë asaj se nëse dëshiron të bëhet sërish presidente, duhet të ia kthejë shpinën Albin Kurtit sepse ai po e dërgon vendin në humnerë, andaj ajo duhet të distancohet prej tij dhe në këtë vazhdë ka lindur konflikti mes kryeministrit dhe presidentes dhe presidentes me ish-partinë e saj. Kush dëmtohet këtu. Nëse Lista Guxo shkon me Albin Kurtin, ai nuk humb asnjë gjë”, ka thënë ai.