Arbëri

Pula: Mungesa e prezencës amerikane, goditje e rëndë për sigurinë rajonale

Pasiguria mbi planet e presidentit amerikan, Donald Trump, rreth tërheqjes së trupave amerikane nga Evropa ka nxitur ankth te liderët perëndimorë, kanë shkruar medie amerikane. SHBA-ja kontribuon në Kosovë me 602 ushtarë, derisa ka njërën prej bazave më të mëdha në Kosovë. Njohës të zhvillimeve nuk e kanë përjashtuar mundësinë që pjesë e kompromisit të jenë edhe forcat amerikane në Kosovë, teksa kanë listuar edhe arsye të tjera që mund ta shtyjnë SHBA-në që t’i ndalë garancitë e sigurisë për Evropën

Goditje të rëndë për stabilitetin politik dhe ushtarak të Evropës e kanë kualifikuar njohës të zhvillimeve politike tërheqjen e mundshme të trupave amerikane.

Kjo mundësi është përmendur pas rikthimit të Donald Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë. Sipas një artikulli të publikuar nga “Washington Post”, përçarja në rritje e administratës Trump me aleatët evropianë dhe sugjerimet për tërheqjen e trupave amerikane kanë nxitur nervozizëm në Evropë. Kjo gazetë ka shkruar se kontinentit të vjetër mund t’i duhet të mos mbështetet në marrëveshjen 80-vjeçare me Shtetet e Bashkuara, e cila ka garantuar sigurinë e saj që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në kuadër të Misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR – SHBA-ja kontribuon me 602 ushtarë, derisa në Sojevë të Ferizajt ndodhet kampi Bondsteel, i cili është një prej bazave më të mëdha ushtarake amerikane në rajon. Nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se, tash për tash, nuk ka ndonjë ndryshim sa i përket pozicionimit të forcave të tyre. Ditë më parë, mediumi gjerman “Bild” ka shkruar se Italia po përgatitet edhe për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova. Por në Ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës e kanë demantuar pretendimin e mediumit gjerman tek e kanë kualifikuar si informacion të rrejshëm.

E Besnik Pula, profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Virginia Tech në SHBA, ka thënë se tërheqja eventuale e trupave amerikane nga Evropa do të kishte ndikim negativ në sigurinë rajonale.

“Prezenca amerikane është pjesë e arkitekturës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Mungesa e saj do të ishte një goditje e rëndë për stabilitetin politik dhe ushtarak në këtë pjesë të botës. Pra, prapë mendoj se rreziku është që, nëse zoti Trump hap për shembull një negocim me Putinin rreth çështjeve të sigurisë në mbarë kontinentin evropian, unë nuk dyshoj që Rusia do të kërkojë që për shembull Kosova të jetë pjesë e asaj marrëveshje, ku për shembull tërheqja e trupave amerikane mund të jetë një nga rezultatet e atij kompromisi”, ka thënë Pula.

Sipas tij, tërheqja mund të ndodhë edhe për shkak të një presioni financiar.

“Është kërkuar nga Pentagoni që të kenë shkurtime në shpenzime dhe në angazhimet ushtarake. Dhe kjo mund të jetë edhe një arsye tjetër, e cila mund të çojë në tërheqjen e trupave, që kostoja është tepër e lartë dhe kjo zonë të shpallet si zonë e interesave evropiane dhe që çështjet e sigurisë në Ballkan t'i lihen evropianëve në tërësi”, ka potencuar ai.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë më 20 shkurt se stabiliteti në Kosovë, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Serbi është në interes të të gjithëve dhe se nuk sheh arsye të besojë që mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në aleancën ushtarake perëndimore.

Ai këto komente i ka bërë gjatë qëndrimit në Bratislavë të Sllovakisë, kur është pyetur në një debat me studentë nëse sheh mundësi për rifillimin e një konflikti në Kosovë.

“Më lejoni të jem krejtësisht i qartë, nga ajo çfarë unë po kuptoj nga sistemi amerikan është se ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve aktuale. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne gjithmonë mund të kemi ndryshime të politikave apo adaptime të vogla që mund të ndodhin. Sllovakët, holandezët dhe të tjerët po e bëjnë këtë. Por, nuk kam arsye të besoj se do të ketë vendime dramatike. Dhe në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor duhet të jemi të sigurt që ne të mbajmë në fokus këtë rajon sepse stabiliteti në Kosovë, stabiliteti në Bosnje dhe stabiliteti në Serbi është në interesin e të gjithë neve”, është përgjigjur Rutte.

Por siç shkruan “Washington Post”, liderët evropianë duan të sigurohen që nëse ndodh një lloj tërheqjeje, ajo nuk do të jetë produkt i negociatave të SHBA-së me Kremlinin.

“Lëvizja e Trumpit drejt riorganizimit me Rusinë ka ushqyer makthin evropian se Uashingtoni mund ta pranojë kërkesën e Moskës që NATO-ja të tërhiqet nga Evropa Lindore me një marrëveshje që i lë fqinjët e Rusisë të pambrojtur, përpara se evropianët të mund të forcojnë mbrojtjen e tyre”, ka shkruar gazeta amerikane. “Kjo është ajo që ata kanë parasysh kur nuk thonë asgjë për sigurinë evropiane pa evropianët në dhomë”, ka thënë Camille Grand, ish-zyrtare e NATO-s që tani është në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, tek ka folur për “Washington Post”.

Shumë aleatë të NATO-s janë takuar me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, muajin e shkuar, duke besuar se Uashingtoni mund të tërheqë mijëra trupa nga Evropa në vitet e ardhshme.

“Hegseth përcolli se homologët e tij evropianë duhet të presin një rishikim dhe reduktim eventual të prezencës ushtarake amerikane, pasi interesat e SHBA-së ndryshojnë dhe administrata e re u kërkon evropianëve të marrin përgjegjësinë për sigurinë e tyre”, ka shkruar “Washington Post”.

Edhe zëvendëspresidenti amerikan, J.D. Vance, i ka kritikuar udhëheqësit evropianë për refuzimin e së djathtës ekstreme, ndërsa të ardhmen e trupave amerikane në Evropë e ka ndërlidhur me politikëbërjen në kontinent.