Ema Pula nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike e konsideron praktikë të rrezikshme mbajtjen e pozitave me ushtrues detyre jashtë afatit ligjor, pasi ka theksuar se mund të jenë “subjekt i politikës ditore, presionit, urdhrave të paligjshëm dhe nuk i nënshtrohen një procedure të mirëfilltë rekrutimi”.
Ajo ka thënë se vendimet e marra nga ushtruesit e detyrës një vit pas emërimit të tyre, do duhej të rishikoheshin pasi janë të paligjshme.
“Pas një viti këto vendime të ushtruesve të detyrës janë të jashtëligjshme. Këto ditë kemi pasur çështjen e ekzekutimit të pagave, ku kemi informacione që sot janë ekzekutuar ato mjete, por mbetet e paqartë baza ligjore apo nga kush është nënshkruar ai çeku që është si veprim para ekzekutimit të pagave. Qeveria do të duhej të lëshonte deklaratë se si është marrë vendimi për ekzekutimin e pagave... Për faktin se mbajtja e këtyre pozitave pas kalimit të afatit është e jashtëligjshme, pason edhe më një pasojë juridike që është shpallja e jashtëligjshme e këtyre vendime. Sidomos kur flasim për nivelin e lartë drejtues”, ka thënë ajo në emisionin “60 Minuta”.
Pula ka shtuar se në shumicën e institucioneve nuk kanë hapur konkurse, dhe kjo sipas saj, është bërë për arsye politike.
“Nga 16 ministri, janë 8 sekretarë ushtrues detyre, dhe nga 38 agjenci, janë 29 agjenci me ushtrues detyre. Mund të supozojmë që është për arsye politike, të ndikimit politik. Kur kemi monitoruar proceset e rekrutimit, kemi vënë re që në shumicën institucionet nuk i hapin konkurset. Mund të shihet si e qëllimshme”.
Pula ka treguar se në cilat institucione janë mbajtur pozitat e ushtruesve të detyrës jashtë afatit.
“Ka qenë Ministria e Industrisë, pozita e sekretarit që tri vjet si ushtrues detyre dhe personi ka ndryshuar rreth 8 herë. Kemi rastin në Zyrën e Kryeministrit të sekretarit të përgjithshëm që gati 3 vjet i njëjti është ushtrues detyre. Në Ministrinë e Financave ka 4 vjet që kjo pozitë ushtrohet me ushtrues detyre”.
Pula është shprehur se Qeveria duhet të reflektojë në politikat që ka ndërmarrë.
“Qeveria duhet të reflektojë në politikat që ka ndërmarrë deri tash, sidomos me Ligjin për zyrtarët publikë. Deri tash nuk kemi parë reflektim, ligji është në Kuvend dhe pritet të votohet. I njëjti nuk e ka marrë parasysh aktgjykimin e Kushtetueses në disa pjesë. Sipas tij, mandati i ushtruesit të detyrës do të zgjatet deri 2 vjet. Shohim tendencën për legjitimimin e këtij fenomeni të rrezikshëm”, ka përfunduar Pula.