Arbëri

Puka pretendon që Hasani u pagua pa punuar, u avancua jashtëligjshëm e prishi imazhin e UP-së

16 faqe e gjatë është letra e dekanit të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Avni Puka, kundër ish-rektorit Enver Hasani. Denoncimi që ka shkuar në Këshillin e Etikës ngre dyshime që Hasani është paguar pa punuar fare, ka marrë tituj akademikë jashtëligjshëm dhe e ka dëmtuar imazhin e fakultetit. Hasani këtë e cilëson hakmarrje

Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, Avni Puka, e ka denoncuar  për mashtrim në Këshillin Etik ish-rektorin e ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Puka pretendon që Hasani nuk i ka mbajtur orët për të cilat është paguar gjatë vitit akademik 2023-2024.

Në Këshillin e Etikës ai e ka dërguar edhe një raport të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, që, sipas tij,  Hasani është paguar pa u mbajtur ligjëratat.

Përfitimi i jashtëligjshëm gjatë kësaj kohe i Hasanit, sipas Fakultetit Juridik, është pak mbi 15 mijë euro.

“Mosmbajtja e ligjëratave, mosnjoftimi i menaxhmentit-dekanit dhe Rektoratit, si dhe vendimet relevante të këtyre autoriteteve për një gjë të tillë, kanë vendosur Fakultetin dhe Rektoratin në situatë të lajthimit dhe mashtrimit. Shuma e mjeteve me të cilat është paguar z.Hasani gjatë vitit akademik 2023-2024 për normë dhe mbinormë, duke e vënë në lajthim dhe duke mashtruar Fakultetin dhe Universitetin, e duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme është: 15, 171 mijë euro. Me ketë z.Hasani ka shkelur rëndë Kodin e Etikës”.

E përveç kësaj, në këtë shkresë pretendohet që Hasani ka marrë titujt akademikë në mënyrë të kundërligjshme, duke mos respektuar kohëzgjatjen e titujve paraprakë sipas Statutit. 

Ndërsa si arsye të tretë e kanë përmendur dëmtimin e vazhdueshëm të imazhit të Fakultetit Juridik dhe Universitetit të Prishtinës në përgjithësi.

“Me gjithë obligimin akademik dhe të kontraktuar, z.Hasani në mënyrë të përsëritur ka dëmtuar imazhin e Fakultetit Juridik dhe Universitetit përmes sulmeve dhe përhapjes së shpifjeve dhe ofendimeve në media të ndryshme elektronike për kolegët profesorë, dekanin dhe institucionin në përgjithësi, se gjoja ‘ka rënë shumë poshtë’ se ata nuk dinë nga është veriu e jugu”.

Zyrtarisht kjo shkresë i është nisur Hasanit, nga i cili është kërkuar përgjigje brenda 15 ditësh.

Një vit me parë Enver Hasani me anë të një letre e ka “denoncuar” dekanin e Fakultetit Juridik, Avni Puka, duke thënë se ka mashtruar kur ka njoftuar se ka kryer doktoratë në Itali.

Tash Hasani i është përgjigjur UP-së që nuk e ka ndër mend të merret me Këshillin Etik pa u adresuar denoncimi paraprak i tij.

“Vetëm kur të marr përgjigje në denoncimin tim i cili, për shkak se përmban elemente të pastra të figurës së veprës penale, mund të përgjigjem në sajesat administrative që Avni Puka paska bërë në këtë denoncim fiktiv, hakmarrës dhe krejt personal. E kam fjalën për denoncimin tim që e kam drejtuar para një viti në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës dhe në MASHTI, te titullarët e këtyre dy institucioneve. Asnjëherë nuk kam marrë përgjigje për denoncimin tim, i cili është bërë publik edhe në medie. Derisa të marr përgjigjen nga organet kompetente nuk mund të bëj komente të tjera në pikat e ngritura nga Avni Puka, me synim shantazhimin tim, sepse përbën konflikt të pastër interesi dhe tradhti ndaj kauzës së interesit publik”, thuhet në përgjigjen e Hasanit.

Dekani Puka e ish-rektori Hasani kanë pasur betejë të ashpër publike, ku e akuzonin njëri-tjetrin për veprime të paligjshme.