Arbëri

Publikohen fletëvotime të plotësuara në rrjetet sociale, Prokuroria po merret me rastin

Fletevotimi per zgjedhjet 2025

Në rrjetet sociale janë publikuar foto e video të fletëvotimeve tek plotësohen e futen në zarfe, për procesin e votimit me postë nga diaspora, që ka nisur të enjten. Në prokurori thanë se po merren me rastin. E në materialet që ka siguruar KOHA, shihen persona që para vetes kanë më shumë se një fletëvotim

Fotografi e video të fletëvotimeve për zgjedhjet e 9 shkurtit janë shpërndarë në platformën sociale TikTok. 

Në këto materiale shihen persona tek plotësojnë fletëvotimin, të cilin më pas edhe e fusin në zarf. 
E në video po ashtu duket edhe dëftesa dhe numri i regjistrimit, dokumente këto që u janë dërguar qytetarëve që kanë aplikuar për votim me postë nga diaspora. Figuron edhe adresa nga e cila po dërgohet vota. 

Në prokurori thanë për KOHËN se po merren me rastin.

“Prokuroria po merret me rastin dhe informatat shtesë do t’i ndajmë ditëve në vijim”, tha Prokuroria. 

VIDEO:

@koha.official

Disa nga votat e diasporës përfundojnë në rrjetin social TikTok #lajmetKTV #zgjedhjet2025

♬ original sound - koha.official - koha.official

Votimi nëpërmjet postës për shtetasit e Kosovës të regjistruar jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ka nisur më 9 janar dhe do të zgjasë deri më 8 shkurt. Të drejtën e votës në këtë mënyrë e kanë afro 85 mijë qytetarë.

E në materialet që ka siguruar KOHA shihen persona që para vetes kanë më shumë se një fletëvotim të plotësuar.

Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të hënën u tha se e-maili i personalizuar u është dërguar të gjithë aplikuesve për votim me postë, ku gjendet edhe fletëvotimi të cilin mund ta shkarkojnë dhe shtypin.

“Kemi dërguar njoftime të personalizuara për 84.519 votues. Pra ky numër i votuesve përbën numrin e votuesve të cilët në fazën e aplikimit për regjistrim janë përcaktuar për mënyrën e votimit përmes postës, qoftë duke e dërguar pakon me fletëvotim në kutitë postare të KQZ-së në Kosovë, qoftë në ato jashtë Kosovës”, tha Besnik Buzhala, drejtor i Zyrës për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.

Por, në KQZ nuk janë përgjigjur lidhur me rastet e publikimit të votës.

Shqetësime për integritetin e procesit të votimit me postë nga diaspora kanë shprehur edhe të premten anëtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e Partisë Demokratike.

Anëtari Ilir Gashi e transmetoi gjatë mbledhjes një video-xhirim, për të cilin tha se po qarkullon nëpër rrjete sociale e ku qytetarëve shihet se po u ofrohet një adresë ku të shkojnë dhe të marrin ndihmë mbi mënyrën e të votuarit me postë.