Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka vlerësuar se fillimi i vitit të ri shkollor është festë, dhe ka shprehur mirënjohje për Sindikatën për pezullimin e grevës. Ndërsa duke komentuar pasojat e grevës njëmuajshe, psikologu Nazim Mahmuti ka thënë se nisja e mësimit me vonesë ka ndikim negativ në aspektin psikologjik të fëmijëve, sidomos te parashkollorët dhe te ata të klasave të para
Me një muaj vonesë ka nisur viti i ri shkollor në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në Komunën e Prizrenit. Në shkollën “Mati Logoreci” në Prizren, të hënën, prindërit i kanë shoqëruar fëmijët e tyre të cilët kanë filluar mësimin në klasën e parë, por jo më 1 shtator siç ka qenë praktikë e përhershme, për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK-u.
Mirëseardhje atyre u kanë dëshiruar menaxhmenti i shkollës, por edhe zyrtarët e lartë komunalë.
Drejtori i kësaj shkolle, Hilmi Rexhaj, gjatë ceremonisë ka uruar një vit të mbarë shkollor për të gjithë nxënësit.
“Investimi më i mirë, më i sigurt, dhe më afatgjatë është tek edukata, arsimi dhe kultura. Urimi më i veçantë është pa dyshim për ju nxënësit e klasës së parë, ju që sot për herë të parë uleni në bankat e shkollës, ku do të filloni një etapë të re të jetës tuaj”, ka thënë ai.
Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka vlerësuar se fillimi i vitit të ri shkollor është festë, dhe ka shprehur mirënjohje për Sindikatën për pezullimin e grevës, që ka nisur më 25 gusht dhe ka zgjatur deri të shtunën, kur është marrë vendimi për pezullimin e saj.
“Po du me i dhanë një kompliment Sindikatës që kanë marrë vendimin për me ndërpre grevën dhe me fillu shkollën, se megjithatë interesi është shumë i madh që nxënësit të fillojnë mësimin, por edhe mësimdhënësit të fillojnë punën, prandaj po dua që t’i përgëzoj të gjithë”, ka deklaruar Totaj.
Drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj Gutaj, ka pohuar se mësimi ka filluar në të gjitha shkollat e Prizrenit.
“Sot ka filluar viti i ri shkollor, edhe pse me një muaj vonesë, mirëpo në bashkëpunim me të gjitha shkollat, mësimdhënësit, nxënësit dhe stafet udhëheqëse të shkollave janë krijuar të gjitha kushtet optimale dhe të gjitha shkollat me njoftimet, të cilat i kanë deleguar në drejtorinë e arsimit janë duke filluar mirë edhe mbarë”, ka bërë të ditur ajo.
Por, sipas psikologut në ShFMU “Mati Logoreci”, Nazim Mahmuti, nisja e mësimit me vonesë ka ndikim negativ në aspektin psikologjik të fëmijëve, sidomos te parashkollorët dhe ata të klasave të para.
“Kjo vonesë sigurisht që ka me i demotivu, por shpresojmë se me punën tonë brenda mekanizmave shkollorë si me mësuesit, si me psikologët shkollorë, të arrijmë ta modifikojmë situatën dhe të arrijmë t’i motivojmë për të filluar vitin shkollor”, është shprehur ai.
Ditë më parë Ministria e Arsimit u ka bërë thirrje të gjitha palëve për bashkëpunim dhe mobilizim për të plotësuar humbjet e shkaktuara gjatë grevës së mësimdhënësve të organizuar nga SBASHK-u.