Arbëri

Psikologët bëjnë thirrje që rastet e dhunës në familje të raportohen pasi thonë se ndikon në parandalim

Dhuna

Foto: Ilustrim

Rastet e dhunës në familje po vazhdojnë të ndodhin për çdo ditë gjithandej vendit, ani pse plotësim-ndryshimi i Kodit Penal parasheh ndëshkime e kufizime të shumta për dhunuesit. Vetëm në 24 orët e fundit policia ka raportuar për katër raste të dhunës në familje. Psikologët bëjnë thirrje që rastet e tilla të dhunës të raportohen.

Me gjithë plotësim-ndryshimin e Kodit Penal që u bë në fund të vitit të kaluar e ku për rastet e dhunës në familje u ashpërsuan dënimet, rastet e tilla të dhunës po vazhdojnë për çdo ditë nëpër komuna e qytete të ndryshme.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundi së paku katër raste të dhunës në familje janë regjistruar nga Policia e Kosovës.

Dy persona janë arrestuar lidhur me rastet, një është liruar në procedurë të rregullt dhe një tjetër është dërguar për trajtim në Repartin e Psikiatrisë në mbikëqyrje policore.

Ilir Havolli , kryetar i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, ka thënë se rastet e dhunës në familje duhet të raportohen pasi që ndihmon në parandalimin e përsëritjes së tyre.


“Shkaktarët të cilët ndikojnë apo ndihmojnë në rritjen e rasteve të dhunës në familje, është diskriminimi apo pabarazia gjinore, stresi financiar apo mungesa e ekonomike. Mosmarrëveshjet dhe përçarjet në mes të anëtarëve të familjes, abuzimi me substanca narkotike dhe alkool, traumat dhe historitë nga e kaluara të pa përpunuara si dhe niveli i ulët i edukatës”., ka theksuar ai.

Ai ka shprehur shqetësime se dhuna në familje shpeshherë ndodh edhe para fëmijëve, e cila është e dëmshme për mirëqenien psikologjike dhe emocionale të tyre.

“Dhuna në prezencë të fëmijëve është një çështje shqetësuese dhe tepër e dëmshme për zhvillimin dhe mirëqenien psikologjike dhe emocionale të tyre. Është e preferuar që fëmijët të mos jenë dëshmitar dhe të mbrohen nga situatat e rrezikshme. Trajtimi i tyre duhet të përfshijë mbështetje emocionale, kujdes mjekësor dhe ndihmë nga profesionistë të shëndetit mendor. Fëmijët që janë të përfshirë në situata të dhunës duhet të kenë qasje në ndihmë nga profesionistët e fushave të shëndetit mendor dhe po ashtu nga punonjësit social”, është shprehur ai.

Me ndryshimet në Kodin Penal personi që shpallet fajtor për dhunë në familje përveç ndëshkimit me burgim, atij i ndalohet nga gjykata edhe kandidimi në çdo pozitë publike nga tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.

“Gjykata ia ndalon punësimin në sektorin publik në të gjitha nivelet prej një (1) deri në pesë (5) vjet personit i cili shpallet fajtor për veprën penale të dhunimit. Gjykata ia ndalon të drejtën në drejtimin e automjetit në çdo lloj të kategorisë, nga një (1) deri në pesë (5) vjet, personit që është shpallur fajtor për veprën penale të dhunimit në kohën kur ishte në ushtrimin e profesionit të vozitësit”, thuhet në Kodin Penal.

Basri Shabani, drejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka thënë se të gjitha rastet e dhunës në familje trajtohen me seriozitet

“Secili rast i dhunës në familje trajtohet në mënyrë profesionale ku secili stacion i Policisë i ka zyrtarët e veçantë që merren vetëm me trajtimin e këtyre rasteve. Rastet e dhunës dërgohen në mbajtje sipas ligjeve në fuqi, ndërkaq lëndët procedohen për trajtim në institucionet e tjera përkatëse”, ka deklaruar ai.

Sipas Policisë në Podujevë një grua ka njoftuar policinë se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Në Fushë-Kosovë janë regjistruar dy raste të ndara. Në rastin e parë një grua ka njoftuar se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë fizike. Ndërkaq në rastin tjetër, po ashtu një grua ka raportuar se ish-bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë psikike.

Ndërkaq në Gjilan një i dyshuar është arrestuar për arsye se kishte ushtruar dhunë psikike dhe i kishte kanosur nënën dhe vëllanë e tij.