Partia Social-Demokrate (PSD) ka ndërhyrë të mërkurën gjatë lajmeve qendrore të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), duke paraqitur prapa folëses një pankartë ku shkruante “Radio Televizioni i Kurtit”.
Videon e momentit e ka publikuar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj në Facebook.
Ai ka shkruar se lajmet e televizionit tash e tutje janë lajmet e partisë.
“Lajmet e televizionit publik tash e tutje janë lajmet e partisë. Redaksia tash është Qeveria. Policia nuk është më veç në rrugë. Ajo vjen përmes filtrave të censurës. Garanton Rilind Gërvalla, drejtor i televizionit, i deleguar nga Partia-Shtet. Emërimet partiake nëpër ndërmarrje e agjenci janë bërë pjesë e përditshmërisë. Por, ky nuk është emërimi i radhës. Me këtë emërim pushteti na hyn nëpër shtëpi. Për të na treguar si duhet t'i kuptojmë veprimet e tij. Por, qytetarët tanë e kanë kaluar, dhe nuk do të kthehen me në kohërat e errëta ku jeton ky regjim. Liria do t'i gjejë rrugët e saj”, ka shkruar Molliqaj.
Veprimi ka ndodhur vetëm një ditë pasi Bordi i RTK-së, me shumicë votash zgjodhi Rilind Gërvallën drejtor të televizionit për kanalet shqip.
Gërvalla është konsideruar aktivist i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Nga Bordi i Radio Televizionit të Kosovës i thanë KOHËS të martën se Gërvalla nuk ka qenë pjesë e këtij subjekti.
“Lidhur me raportimet që janë bërë, Administrata e RTK-së ka kërkuar nga subjekti në fjalë informacione nëse kandidati ka qenë pjesë e Këshillit Organizativ, apo ndonjë strukture tjetër, siç është cekur me ligj. Nga ai subjekt (Vetëvendosje v.j.) ka ardhur konfirmimi që i njëjti nuk ka qenë në këto struktura”, deklaroi Besnik Boletini, anëtar i Bordit.
Ai tha se Gërvalla ka punuar në RTK nga viti 2000, por s’ka pasur pozitë menaxheriale.