Partia Socialdemokrate ka kërkuar të martën që të lirohet aktivisti i këtij subjekti politik, Adem Magjuani, që ishte ndaluar nga Policia për shkak të incidenteve në protestën e së shtunës, që kjo parti e organizoi kundër shtrenjtimit të rrymës.
Sipas PSD-së, Megjuani i është përgjigjur thirrjes së policisë në mëngjes, ndërsa atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orësh.
“Kjo masë nuk i përmbush asnjërën prej kushteve të parapara me Kodin e Procedurës Penale për shqiptimin e saj. Mënyra se si ka vepruar prokurori i rastit përbën abuzim të pushtetit të tij e shkelje të të drejtave të aktvistit tonë. Joproporcionaliteti i veprimeve të prokurorisë është proporcional vetëm me nevojën e pushtetit për të disiplinuar veprimet opozitare të PSD-së”, thuhet në kumtesë.

Partia, që drejtohet nga Dardan Molliqaj, beson se Qeverisë i ka penguar numri i qytetarëve që kanë marrë pjesë në protestë.
“Propaganda policore që kishte për qëllim ta kriminalizojë një protestë paqësore, po përkthehet me përndjekje”, thuhet në deklaratë.
PSD të shtunën mblodhi mijëra njerëz për ta kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës, pasi Zyra e Rregullatorit të Energjisë propozoi ndryshim tarifash për rrymën. Qeveria pas protestës kishte thënë se ka pasur përpjekje që të ketë eskalim.
Ekzekutivi i drejtohet nga Albin Kurti, të martën ka dorëzuar komente në ZRRE, ka propozuar që të mos ketë ndryshim tarifash për kategorinë e konsumatorëve që shpenzojnë deri në 1 mijë kWh.