Partia Socialdemokrate ka dorëzuar të hënën në Prokurorinë Speciale letrën e ministrit Maqedonci drejtuar komandantit të KFOR-it.
Siç është thënë nga kjo parti, kjo letër riafirmon zotimin që Forcat e Sigurisë së Kosovës mos të shkojnë në veri pa koordinim paraprak me KFOR-in.
Sipas PSD-së, kjo është hipokrizi.
“Në vitin 2020 Kurti këtë veprim e kishte denoncuar si të pafalshëm, të papranueshëm e kundërkushtetues. Çfarë t'i themi sot veprimit të tij?! Pse tash qenka në rregull kjo punë?! Si arsyetohet që veprimi që dikur ishte arsye për shkarkim të kryeministrit tash bëhet procedurë rutinore? Kjo nuk është thjesht hipokrizi. Kur e sheh veten instrument për realizim të domosdoshmërisë historike gama e mjeteve hapet në pafundësi. Kjo është arsyeja pse bolshevizmi është makiavelizmi më radikal”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se qëllimi i letrës së Qeverisë drejtuar KFOR-it me premtimin se FSK-ja nuk do të vendoset në veri pa autorizimin paraprak të misionit të NATO-s, ishte për të sqaruar se një njësit i FSK-së ishte i angazhuar në njërën nga komunat veriore dhe se ky aksion nuk kishte për qëllim përshkallëzimin e situatës.