Arbëri

PS-ja ka iniciuar nismën ligjore që i hap rrugë hetimit të ish-presidentit Meta

Në nismën e re të socialistëve kërkohet që të bëhet transparencë, madje dhe të “rihetohen” të gjithë të zgjedhurit dhe funksionarët e shtetit dhe të politikës. Vendimi vjen fill pas debatit që shkaktoi Autoriteti i Dosjeve dhe Kuvendi i Shqipërisë, ku në një shkresë të tyre, aludohet se ish-presidenti Ilir Meta është i përfshirë në dokumentet e sigurimit si spiun

Partia Socialiste ka bërë të ditur se ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dy nisma ligjore me anë të së cilës synon t’i verifikojë të gjithë figurat politike dhe funksionarët e shtetit dhe lidhjet e tyre me dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës së diktaturës. Në nismën e re të socialistëve kërkohet që të bëhet transparencë, madje dhe të “rihetohen” të gjithë të zgjedhurit dhe funksionarët e shtetit dhe të politikës. Vendimi vjen fill pas debatit që shkaktoi Autoriteti i Dosjeve dhe Kuvendi, ku në një shkresë të tyre aludohet se ish-presidenti Meta është i përfshirë në dokumentet e sigurimit.

Autoriteti i Dosjeve thotë se hetimin nuk e lejon neni 29, pika 4, e ligjit funksional, ndaj ka kërkuar nga Kuvendi i Shqipërisë ndërhyrje për amendamentimin e ligjit. Në emër të PS-së, kryetarja e Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, Klotilda Bushka, deklaroi të premten se dy nismat ligjore konsistojnë në krijimin e shtratit ligjor për verifikimin e subjekteve, pavarësisht nëse kanë ose jo një certifikatë të mëparshme pastërtie dhe për verifikimin e të gjitha subjekteve që zgjidhen apo emërohen në poste publike mbi pastërtinë e figurës së tyre. “Zbardhja e të vërtetës për personat që ushtrojnë detyra shtetërore, mbi të gjitha për ata persona që kanë pasur dhe kanë detyra të larta shtetërore, është një domosdoshmëri dhe një simbolikë e fuqishme për t’i dënuar krimet e së kaluarës, por padyshim në funksion të së tashmes për krijimin e një shoqërie të bazuar në parimet dhe vlerat demokratike”, ka thënë Bushka. “Nisur nga shkresa e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) drejtuar kryetares së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë më datë 26.07.2022 lidhur me shqetësimet mbi pastërtinë e figurës së personave të zgjedhur apo të emëruar, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë ka vendosur të depozitojë sot pranë Kuvendit nismat ligjore për ndryshime të Ligjit funksional nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” të ndryshuar, si dhe të Ligjit nr. 10019 me datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar”, thuhet më tej në deklaratën e Partisë Socialiste, të prezantuar nga Bushka.

Edhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi të premten në Kuvend një projektligj për deklasifikimin e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit në periudhën 1944–1991. Deputeti i PD-së, Kreshnik Çollaku, ka thënë për mediat se deputetët dhe ekspertët kanë punuar për përgatitjen e një pakete ligjore që synon dekomunistizimin e plotë të vendit dhe ndarjen një herë e mirë nga e kaluara komuniste.

“Në këtë kuadër, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një nismë ligjore për shpalljen muze kombëtar të Kampit të Punës së Detyruar të të Burgosurve në Spaç dhe Kampin e Internimit Tela me Gjemba Tepelenë. Ndërsa, sot kemi depozituar një projektligj që sanksionon deklasifikimin e plotë dhe hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit për periudhën 1944-1991”, ka thënë Çollaku.

Në nismën ligjore parashikohet vetëm një nen, në të cilin theksohet se: “Përjashtimisht, konsiderohen të deklasifikuara dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë. Nga zbatimi i kësaj dispozite, përjashtohen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurisë kombëtare”.

Në të njëjtën ditë, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka paralajmëruar se do të ndërmarrë hapa ligjorë lidhur me pretendimet se ai është i përfshirë në dosjen e ish-Sigurimit të Shtetit. Në një konferencë për mediat të premten, Meta ka thënë se si autoriteti i Dosjeve, ashtu dhe personat e përfshirë në këtë çështje, do të mbajnë përgjegjësi ligjore.

“Autoriteti i Dosjeve do të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë shkelje të ligjeve që ka bërë, edhe në atë shkresë që i ka bërë Kuvendit. Së dyti, do mbajnë përgjegjësi individuale personat e përfshirë. Të gjithë e dimë kush është përfshirë, ish-xhelat të Sigurimit të Shtetit. Atë dosje do të kishte shumë të lehtë nëse do kishte një indicie serioze për këtë çështje sepse Ilir Meta në çdo rast, edhe kur ka kandiduar si president, ka firmosur një kërkesë për dosjen dhe është konfirmuar që nuk ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit. Nëse do të dilte e kundërta, Autoriteti i Dosjeve do ta kishte mundësinë e paditjes”, ka thënë Meta.

Të martën, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit e njoftoi Kuvendin e Shqipërisë se “një personazh me profil të lartë politik me inicialet I.M. rezulton ish-bashkëpunëtor i Sigurimit”.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka nisur të mërkurën disa takime me krerët e grupeve parlamentare një ditë pasi Autoriteti i Dosjeve njoftoi institucionin që ajo drejton. “Autoriteti i Dosjeve flet për një politikan të lartë me inicialet I.M., që ka rezultuar i përfshirë në aktivitetin e Sigurimit të Shtetit. Autoriteti i Dosjeve ka nisur një letër, ku më vë në dijeni për përfshirje të këtij politikani dhe kërkon ndërhyrje për veprime. Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të reagojë patjetër. Dua të falënderoj Autoritetin e Dosjeve për hetimin e pavarur dhe kurajën e adresimit të këtij rasti”, ka thënë të mërkurën kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.