Arbëri

Prugovci kërkon linjë të trafikut urban

Fshati Bardhosh është fshati i fundit nëpër të cilin kalon linja numër 3 e trafikut urban. Por, megjithatë, përpos këtij fshati, janë edhe 4 fshatra të tjerë të Prishtinës nëpër të cilët nuk kalon kjo linjë.

E, vetëm pak minuta larg fshatit Bardhosh, ku edhe përfundon linja e trafikut urban, gjendet një fshat tjetër i Komunës së Prishtinës, Prugovci.

Mungesa e transportit publik, sipas qytetarëve, vështirëson lidhjen me qytetit, qoftë për punë, qoftë për shkollimin e fëmijëve, transmeton KOHA. 

Albian Dragusha thotë se zgjidhje duhet të bëjnë me organizim të transportit me vetura, apo duke pritur linjën ndër urbane që vjen nga Podujeva.

Thotë se është i dëshpëruar me punën e Komunës së Prishtinës dhe përfaqësuesve në Kuvendin Komunal të kryeqytetit për këtë çështje.

Një tjetër banor i këtij fshati që ka kritika për këtë problem është edhe Sani Surtolli.

Ai thotë se përpos sigurisë dhe komoditetit që ofrohet me linjat e trafikut urban, edhe çmimet janë më të përshtatshme sesa ato të linjave private.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, nga Trafiku Urban kanë thënë se aktualisht nuk kanë kapacitet që t’i zgjerojnë më shumë linjat e tyre.

“Lidhur me mungesën e autobusëve për banorët e fshatit Prugovc, jemi të njoftuar dhe kemi pasur kërkesa edhe më herët, por me këto kapacitete që i kemi nuk mundemi ta shtrijmë më tutje transportin publik, deri në blerjen e autobusëve të tjerë. Ka qenë e planifikuar për vitin 2020 blerja e 30 autobusëve shtesë, por gjendja e pandemisë e ka shtyrë edhe këtë projekt të rëndësishëm për transportin publik të Komunës së Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e Trafikut Urban.

Në përgjigjen e tij, Rexhepaj nuk ka sqaruar se deri në çfarë afati është shtyrë projekti i blerjes së këtyre 30 autobusëve.

E derisa një gjë e tillë të ndodhë, banorëve të fshatit Prugovc do t’u duhet të ballafaqohen me telashet e njëjta.